Aktuale Më shumë

Arqipeshkvia e Tivarit: Nuk do të kërkojmë certifikata covid për tubimet fetare

Prej tvteuta15:11, 4 Dhjetor 2021

Arqipeshkvia e Tivarit dhe Dioqeza e Kotorrit kanë bërë të ditur se nuk do të kërkojnë certifikatat covid si kusht për hyrjen në objektet fetare, gjë që parashikohet me masat e reja për parandalimin e koronavirusit.

Arqipeshku i Tivarit, Rrok Gjonljeshaj dhe peshkopi i Kotorrit, Ivan Shtironja, thanë në një deklaratë të përbashkët se ishin të befasuar nga vendimi i autoriteteve shëndetësore pa konsultime paraprake me krerët e kishës, sepse ata “cenojnë thellësisht lirinë fetare dhe mirëqenien e besimtarëve”, të cilët me mbajtjen e maskave dhe vaksinim kanë dhënë kontribut në ruajtjen e shëndetit pubilik”. Ata thonë se ndjehen të poshtëruar nga qëndrimet e individëve që presin nga shërbyesit fetarë të shndërrohen në inspektorë dhe oficerë policie, kur bëhet fjalë për respektimin dhe zbatimin e masave të miratuara”.

“Që nga fillimi i pandemisë, Kisha Katolike në Mal të Zi, për të mbrojtur shëndetin e besimtarëve që frekuentojnë kishat, në mënyrë të pavarur aplikoi masa për luftimin e koronavirusit, siç ishin në fuqi në vende të tjera. Kur masat u miratuan në nivel shtetëror, jemi munduar që t’u përmbahemi në nivelin maksimal. I jemi mirënjohës Zotit sepse asnjë kishë katolike në Mal të Zi nuk ka qenë vatër e infeksionit apo përhapjes së koronavirusit”, thuhet në deklaratë. Ata theksojnë se Kisha Katolike me përgjegjësi dhe seriozitet, veçanërisht përmes Caritas-it, është e përfshirë dhe jep kontributin e saj në kujdesin për shëndetin fizik të të gjithë njerëzve. “Ajo gjithashtu nuk harron misionin e saj specifik të kujdesit për shëndetin shpirtëror dhe mendor të besimtarëve të saj dhe të gjithë atyre që i drejtohen për ndihmë. Prandaj besojmë se shoqëria si e tillë duhet të njohë dhe respektojë opinionin tonë”, thuhet në deklaratë.

  • 1

    Radio