Kulturë Më shumë

“Art Club” boton përmbledhjen me tregime për fëmijë “Princesha Albionë” të shkrimtarit Asllan Bisha

Prej tvteuta10:28, 7 Nëntor 2019

Shkrimtari Asllan Bisha është njëri ndër krijuesit më produktivë ndër shqiptarët në Malin e Zi. Për lexuesit e vegjël ai këto ditë ka dalë me librin e ri “Princesha Albionë”, përmbledhje e tregimeve për fëmijë. Në libër janë përfshirë 16 tregime, një pjesë e të cilëve janë tregime të reja, kurse disa prej tyre janë botuar më herët.

Edhe në këtë libër autori u mbetet besnik temave të tij të preferuara, që lidhen me Bunën, detin, liqenin, peshkimin dhe ngjarjet fëmijërore që ndodhin në këto mjedise. Tregimet përshkohen nga vlerat edukative që autori synon t’i transmetojë te fëmijët, si dashuria për natyrën, gjallesat ujore, triumfi i së mirës etj. Tensionet që krijohen nëpërmjet rrëfimit të autorit dhe dialogjeve të personazheve tërheqin kureshtjen dhe vëmendjen e lexuesit. Bisha shkruan me një gjuhë të thjeshtë, që i përshtatet moshës së fëmijëve.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Redaktor i librit është Hajro Ulqinaku, recensentë dr. Haxhi Shabani dhe Ahmet Gjoni, lektor Ismet Kallaba, korrektor Sabri Halili, redaktor Teknik Gazmend Çitaku, ndërsa ballina është punuar nga piktori Agron Ujkashi.   

Përmbledhja me tregime për fëmijë „Princesha Albionë“ është libri i 19-të (përfshirë edhe ribotimet) i shkrimtarit Asllan Bisha, i cili shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rritur. Ka qenë korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe i RTV të Kosovës, bashkëpunëtor i Radio Titogradit dhe i revistës “Koha”, ndërsa tani bashkëpunon me gazetën “Koha javore”. Po ashtu ka qenë kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”, si dhe është përfshirë në antologjinë “Putnici na putu” dhe përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore për shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 140 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

     Ulqin, më 07. 11. 2019                                                                        SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio