Aktuale Më shumë

Në gjysmë viti 20 ankesa kundër drejtësisë

Prej tvteuta11:13, 20 Tetor 2024

Inspektorët gjyqësorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë kryer një sërë kontrollesh në gjysmën e parë të vitit 2024, duke monitoruar punën e gjykatave, prokurorive, përmbaruesve gjyqësorë dhe noterëve. Janë shqyrtuar 20 ankesa dhe parashtresa të qytetarëve dhe subjekteve juridike lidhur me punën e organeve të drejtësisë. Këto janë të dhënat nga bashkëngjitja e Qeverisë së Malit të Zi në raportin e rregullt vjetor të Komisionit Evropian.

Në periudhën nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, inspektorët kanë kryer mbikëqyrje të rregullt në shtatë gjykata themelore, në Gjykatën për Kundërvajtje në Bijello Pole dhe në shtatë departamente për kundërvajtje, si dhe në Gjykatën Supreme, në Gjykatën e Lartë në Bijello Pole dhe në Gjykatën Administrative.

Gjatë kontrolleve janë vërejtur parregullsi në një gjykatë themelore dhe një gjykatë për kundërvajtje.

“Mbikëqyrja është bërë edhe në punën e prokurorisë në gjashtë prokuroritë themelore të shtetit dhe në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Bijello Pole. Në këtë rast nuk janë evidentuar parregullsi. Sa i përket mbikëqyrjes së ligjshmërisë së punës së publikut nga përmbaruesit janë kryer kontrolle në tetë përmbarues, me ç’rast është konstatuar një parregullsi në të njëjtën periudhë kundër punës së përmbaruesve janë paraqitur 12 ankesa, prej të cilave 10 janë zgjidhur dhe janë vlerësuar si të pabazuara, ndërsa dy ankesa janë ende në proces”, shtoi Qeveria e Malit të Zi.

Kontrolli mbi punën e noterëve ka qenë më i gjerë, me gjithsej 32 inspektime. Tek dy noterë janë konstatuar parregullsi dhe nga pesë ankesa të paraqitura, tre janë zgjidhur dhe janë vlerësuar si të pabazuara, ndërsa dy janë ende në shqyrtim.

 

  • 1

    Radio