Aktuale Më shumë

Mali i Zi është ndër vendet që mbështetën Guterres

Prej tvteuta10:33, 15 Tetor 2024

Më shumë se 100 vende anëtare të OKB-së, përfshirë Malin e Zi, nënshkruan një letër mbështetjeje për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres pasi Izraeli e shpalli atë “persona non grata”.
Mali i Zi është në mesin e 105 vendeve që nënshkruan letrën e cila “shpreh shqetësim të thellë dhe dënim për deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm izraelit, duke e shpallur Sekretarin e Përgjithshëm person të padëshiruar”.
“Veprime të tilla minojnë aftësinë e OKB-së për të zbatuar mandatin e saj, i cili përfshin ndërmjetësimin e konfliktit dhe ndihmën humanitare. Në Lindjen e Mesme, kjo mund të vonojë më tej fundin e të gjitha armiqësive dhe vendosjen e një rruge të besueshme për një zgjidhje me dy shtete, ku shtetet e Palestinës dhe Izraelit jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së”, thuhet në letrën, në të cilën Beta kishte akses.
Ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar letrën janë SHBA, Britania e Madhe, Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe India.
Në listë nuk janë as Italia, Gjermania, Austria, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Ukraina.
Nga rajoni, përveç Malit të Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia nënshkruan mbështetjen e tyre për Guterres, ndërsa Serbia, Kroacia dhe Shqipëria jo.
Në një letër të përbashkët, 105 vende bëjnë thirrje për respekt për udhëheqjen dhe misionin e OKB-së, për bashkëpunim konstruktiv dhe shmangien e veprimeve që mund të dobësojnë rolin kyç të OKB-së në zgjidhjen e konflikteve dhe për mbështetje për iniciativat që kontribuojnë në një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme ndaj krizës në Lindjen e Mesme.
Nënshkrimi i letrës së mbështetjes për Guterres u iniciua nga misioni i Kilit në OKB, në emër të një grupi vendesh që përfshin gjithashtu Brazilin, Kolumbinë, Afrikën e Jugut, Ugandën, Indonezinë, Spanjën, Guajanën dhe Meksikën.
Një letër e përbashkët me një listë prej 105 vendeve nënshkruese i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 11 tetor, me kërkesë që ajo t’i përcillet vendeve anëtare dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

  • 1

    Radio