Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka vrarë 136 fëmijë deri më tani

Prej tvteuta10:59, 26 Mars 2022

Në më shumë se një muaj luftë në Ukrainë, Rusia nuk i ka ndalur bombardimet ndaj objektivave civilë duke shënuar me qindra viktima.

Sulmi i përqëndruar në Mariupol ka shkatërruar 80% të infrastrukturës së qytetit. Rezistenca e forcave ukrainase nuk iu ka dhënë mundësinë rusëve të marrin atë që ata deshën.

Nga bombardimet në teatrin e Mariupolit në datën 16 Mars ku ishin të strehuar mbi 1 mijë qytetarë ende nuk ka shifra të sakta mbi viktimat.

Sipas zyrtarëve ukrainas, rreth 300 persona kanë humbur jetën, ndërsa dëshmitarët thonë se nuk kanë parë askënd të dalë prej andej.

Sipas prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, të paktën 136 fëmijë kanë mbetur të vrarë që nga pushtimi rus i nisur një muaj më parë.

Ky lajm është bërë me dije nga një postim në aplikacionin Telegram, duke shtuar se numri i fëmijëve të plagosur ka shkuar në 199.

Prokurori shtoi se 64 fëmijë janë vrarë në rajonin e Kievit, ndërsa 50 fëmijë të tjerë kanë vdekur në rajonin e Donetsk.

Këtë të shtunë në mesazhin e tij presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski bëri thirrje që bisedimet të vijojnë, ndërkohë që Moska sinjalizoi se po zvogëlonte synimet e saj për t’u fokusuar në territoret separatiste pro-ruse.

  • 1

    Radio