Vuçelliq: Qeveria nuk është një poligon për frustrimet personale, dhe Mali i Zi është më i madh se çdo lojë politike
Prej Tv Teuta10 January 2026
Deputetja në Kuvendin e Malit të Zi, Maja Vuçelliq, ka paralajmëruar se kërkesat e fundit të Partisë Popullore Demokratike (DNP) vënë në dyshim platformën qeveritare “Barometar 26” dhe mund të hapin një hapësirë për krizë politike që nga fillimi i vitit 2026, vit ky që, siç theksoi ajo, është vendimtar për të ardhmen evropiane të Malit të Zi. Vuçelliq kujtoi se platforma “Barometar 26” u miratua pa asnjë votë kundër, duke përfshirë edhe mbështetjen e DNP-së, me ç’rast të gjithë nënshkruesit e saj janë angazhuar për fokusimin në bashkim dhe integrimin evropian, duke shmangur tema identitare dhe të tjera që mund të polarizojnë më tej shoqërinë. Sipas fjalëve të saj, fakti që DNP tani e pranon hapur se kjo platformë është në kundërshtim me orientimet e tij programore, e bën të pavlefshme “Barometar 26” dhe rrezikon stabilitetin politik të vendit. Ky qëndrim, mendon Vuçelliq, dërgon një mesazh të keq në një moment kur Bashkimi Evropian tregon gatishmëri për një zgjerim të ri. “Mali i Zi nuk ka luksin të humbasë fokusin”, theksoi Vuçelliq në një postim në rrjetin X, duke nënvizuar se integrimi evropian, sundimi i ligjit dhe stabiliteti politik duhet të mbeten mbi ultimatume partiake dhe, siç tha ajo, performancat politike që prodhojnë ndarje dhe bllokada. Vuçelliq theksoi se shteti ka nevojë për unitet nga të gjitha aktorët politikë që janë sinqerisht të angazhuar për realizimin e objektivave të rëndësishëm shtetërorë, ndërsa ndaj atyre që, siç tha ajo, bëjnë blof dhe ndërmarrin veprime që ngadalësojnë rrugën evropiane, duhet të merret një qëndrim i qartë në përputhje me interesat shtetërore. “Qeveria nuk është një poligon për frustrimet personale, dhe Mali i Zi është më i madh se çdo lojë politike”, përfundoi Vuçelliq.