Fillojnë punimet në ndërtimin e rrugës Skje – Zogaj

Në fshatin Skje të Krajës, këto ditë kanë filluar punimet në ndërtimin e rrugës së shumëpritur, Skje – Zogaj, e cila duhet ti paraprijë  ndërtimit të pikës kufitare në këtë zonë.

Punimet i ka marrë përsipër kompania “Euromix” nga Tivari, dhe nga Bashkësia Lokale thonë se megjithë terrenin e vështirë, ato nuk do të vonojnë shumë.

Beqir Berjashi, kryetari i Bashkësisë Lokale të Krajës, për TV Teuta tha se punimet kanë filluar saktësisht më 17 janar, dhe duhet të përfundojnë brenda disa muajve, por mungon projekti kryesor për pikën kufitare, çka mund të vonojë hapjen e saj. Ai megjithatë, shpreson se e gjithë kjo mund të realizohet deri në fillim të sezonit veror.

Hapja e kësaj pike kufitare pritet që një kohë të gjatë. Në Kuvendin e Malit të Zi deputeti Genci Nimanbegu disa herë e ka potencuar rëndësinë që kjo do të kishte për banorët e Krajës, derisa u arrit që të jetë edhe pjesë e buxhetit kapital. Në këtë drejtim ka ndihmuar edhe diplomacia e Shqipërisë, e cila shpeshherë e ka theksuar nevojën e lidhjes më të mirë infrastrukturore me zonat shqiptare buzë kufirit.

Vështirë të thuhet se sa do ta nidhmojë Krajën hapja e kësaj pike, por të paktën do të ketë ndikim të padiskutueshëm që ajo të vendoset në hartën turistike të kësaj zone.

  • 1

    Radio