Politikë

Aktuale Më shumë

Spajiq në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

Prej Tv Teuta20 January 2026

Kryeministri Millojko Spajiq po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në Davos. Pjesëmarrja në një nga forumet globale më me ndikim të ditëve të sotme është një mundësi për shkëmbim mendimesh mbi çështjet kyçe globale dhe rajonale, si dhe për promovimin e Malit të Zi si një destinacion i qëndrueshëm dhe tërheqës për investime, thanë nga kabineti i kryeministrit. Edicioni i këtij viti, i 56-ti me radhë i takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, me titull “Shpirti i dialogut”, po mbahet në kushte të ndryshimeve të rëndësishme gjeopolitike, ekonomike dhe teknologjike, të cilat imponojnë nevojën për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar dhe veprim të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, njoftoi kabineti i kryeministrit. Ata njoftojnë se Spajiq, gjatë qëndrimit në Davos, do të marrë pjesë në ngjarje multilaterale, përfshirë takimin “Japonia – orientimi në ndryshimet gjeopolitike”, si dhe ngjarjet “Dialog gjatë darkës – zgjedhjet evropiane në një botë konkurruese” dhe “Reflektime mbi lidershipin e krerëve të rinj të shteteve dhe liderëve politikë”. “Është planifikuar që kryeministri të ketë edhe takime bilaterale me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra, krerë shtetesh, komisionerë evropianë, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit global të biznesit”, njoftuan nga kabineti i Spajiqit. Ata theksojnë se pjesëmarrja në një nga forumet globale më me ndikim të ditëve të sotme përfaqëson një mundësi për shkëmbim mendimesh mbi çështjet kyçe globale dhe rajonale, si dhe për promovimin e Malit të Zi si një destinacion i qëndrueshëm dhe tërheqës për investime. “Takimet e delegacionit të Qeverisë së Malit të Zi janë veçanërisht të rëndësishme, duke pasur parasysh se Takimi Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mbahet në fillim të vitit në të cilin Mali i Zi shënon njëzet vjet nga ripërtëritja e pavarësisë dhe ndërkohë që, në fazën përfundimtare të procesit negociues me BE-në, merr përsipër detyrime të rëndësishme rajonale dhe evropiane”, theksuan nga kabineti i Spajiqit. Forumi Ekonomik Botëror, i cili organizohet që nga viti 1971 në fund të muajit janar në Davos të Zvicrës, mbledh liderë politikë, ekonomikë, biznesi, akademikë dhe të tjerë nga një numër i madh shtetesh, sektorësh dhe komunitetesh, me qëllim që përmes dialogut të hapur të jepen përgjigje ndaj sfidave bashkëkohore globale dhe të promovohen politika të qëndrueshme dhe shoqërisht të përgjegjshme të rritjes dhe zhvillimit.