Slider

Aktuale Më shumë

Shporta e Vjeshtës 2025: Aroma, ngjyra dhe shije vendase

Prej Tv Teuta3 November 2025

Më 1 dhe 2 nëntor 2025, parkun “Hajdari Family” në Anë të Malit – Ulqin e mbushi një atmosferë festive, ku aromat e vjeshtës, ngjyrat dhe shijet e produkteve vendore bashkëjetuan me muzikë dhe argëtim gjatë manifestimit tradicional “Shporta e Vjeshtës”. Panairi u shndërrua në një hapësirë ku prodhuesit vendorë, artizanët dhe fëmijët shfaqën kreativitetin dhe pasuritë e tyre. Manifestimin e hapi Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, i cili theksoi se ky festival ka një rëndësi të veçantë për ruajtjen e traditës dhe vlerave të prodhimeve lokale: “Ky manifestim është festë e punës, e tokës dhe e prodhimeve që na i jep natyra përmes duarve të palodhura të bujqve tanë. Në çdo shportë me fruta dhe perime shohim mundin, dashurinë dhe përkushtimin e njerëzve tanë ndaj tokës së Ulqinit. Kjo është gjithashtu një mundësi e mirë për të promovuar produktet vendore, për të përkrahur ekonominë rurale dhe për të kujtuar se zhvillimi i qëndrueshëm fillon nga respekti ndaj tokës dhe njerëzve që punojnë në të.” Arber Haxhibrahimi nga Organizata Turistike e Ulqinit theksoi: “Le të jetë ‘Shporta e Vjeshtës’ një shembull i bukur i bashkimit të traditës me turizmin.” Ndërsa Sekretare Arta Muçaj nënvizoi rëndësinë e promovimit të produkteve vendore: “Ky manifestim është mirënjohje për punën e prodhuesve vendorë dhe traditën lokale.” Vizitorët shijuan tryezat e shijeve vendore dhe panairin e produkteve artizanale, ndërsa fëmijët patën mundësi të bënin shëtitje me kuaj dhe të ushqenin kafshët shtëpiake. Pjesëmarrësja Pasho Ceka u shpreh: “Unë marr pjesë çdo vit për të promovuar larmishmërinë e produkteve tona vendore.” Programi kulturor-artistik përfshiu valle, këngë dhe performanca nga kopshtet, shkollat dhe ansamble lokale, duke përforcuar atmosferën festive. Manifestimi u përmbyll me koncertin e grupeve SH.K.A. “Olcinium”, Ansambli “Trojet Tona” dhe Espressivo Band. Vizitorët e vlerësuan ngrohtësinë dhe energjinë e eventit: “Aromat, ngjyrat dhe energjia e fëmijëve e bëjnë këtë event të veçantë.” Dy ditë me muzikë, shije dhe ngjyra vjeshte kthyen “Shportën e Vjeshtës” në një festë të natyrës.