Shëndeti

Aktuale Më shumë

Shimun: Të gatshëm të vazhdojmë transformimin e sistemit shëndetësor në Mal të Zi

Prej Tv Teuta10 January 2026

Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi ka vazhduar gjatë vitit të kaluar investimet në modernizimin e sistemit shëndetësor, me synim ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më cilësore dhe më bashkëkohore për qytetarët, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, dr. Vojislav Shimun. Sipas tij, këto investime përfaqësojnë një angazhim të drejtpërdrejtë ndaj jetës, shpresës dhe dinjitetit të qytetarëve. “Mali i Zi është i gatshëm që edhe këtë vit të vazhdojë transformimin e sistemit shëndetësor, duke ngritur standardet në nivel evropian”, theksoi Shimun. Një nga projektet më të rëndësishme të realizuara vitin e kaluar është vënia në funksion e akseleratorit linear të ri në Institutin e Onkologjisë të Qendrës Klinike të Malit të Zi, me vlerë rreth 3.9 milionë euro. Ky investim shënon një përparim të madh në trajtimin e sëmundjeve malinje dhe, sipas ministrit, simbolizon luftën e vendosur dhe sistematike të shtetit kundër kancerit. Infrastruktura shëndetësore është përmirësuar edhe përmes adaptimit dhe modernizimit të bllokut pranues-urgent në Spitalin Special të Risanit, me vlerë mbi 2 milionë euro, si dhe përmes pajisjes së njësive të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore në Bar, Beranë, Nikshiq dhe Budvë. Këto investime kanë rritur efikasitetin e reagimit emergjent dhe sigurinë e pacientëve. Po ashtu, është blerë një reanimobil i ri për Institutin e Transfuzionit të Gjakut, me vlerë rreth 350 mijë euro, i cili siguron shpërndarje të shpejtë dhe të sigurt të gjakut dhe derivateve të tij në të gjithë territorin e Malit të Zi, 24 orë në ditë.Ministria ka ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm në drejtim të projekteve të reja infrastrukturore, përfshirë Klinikën e Hematologjisë me Qendrën PET/CT, Spitalin e ri të Përgjithshëm në Plevle dhe Qendrën Shëndetësore në lagjen City Kvart në Podgoricë. Këto projekte synojnë modernizimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe specialistik, uljen e listave të pritjes dhe rritjen e qasjes në shërbime shëndetësore në të gjitha rajonet.Ministri Shimun theksoi se krahas ndërtimit të institucioneve dhe modernizimit të pajisjeve, po investohet edhe në kuadrin mjekësor. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë realizuar 221 specializime dhe 27 subspecializime. “Shëndetësia duhet të jetë e sigurt, e qasshme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët”, përfundoi ministri Shimun.