Sharanoviq: Do të punojmë për përmirësimin e gjendjes ekonomike të të punësuarve në MPB dhe polici
Prej Tv Teuta6 September 2025
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ka mbështetur sindikatat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë në përpjekjet e tyre për të përmirësuar gjendjen ekonomike të të punësuarve, dhe ka theksuar se pret mirëkuptim nga institucionet përgjegjëse gjatë planifikimit të buxhetit të ri, si për rritje të pagave, ashtu edhe për forcimin e sektorit përmes realizimit të projekteve, sepse – siç tha ai – “siguria ka kosto”. Në takim me përfaqësuesit e sindikatave, u paraqitën kërkesat për përmirësimin e kushteve materiale dhe të punës për të punësuarit në polici. Ministri Sharanoviq theksoi se e kupton realisht problemet me të cilat përballen punonjësit, por se ato duhet të zgjidhen në mënyrë të përbashkët, sistematike dhe të qëndrueshme. “Policët duhet të jenë të sigurt që kanë mbështetjen e Ministrisë dhe të shtetit. E di që nuk është e lehtë të udhëheqësh njërën nga shërbimet më të përgjegjshme dhe më kërkuese në Mal të Zi, por pikërisht për këtë, detyra ime është të siguroj kushte të denja për këtë shërbim. Ju jeni vija e parë e mbrojtjes së ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, dhe unë jam i detyruar të qëndroj përkrah jush”, theksoi ministri. Sipas njoftimit të MPB-së, në takim u konstatua se gjendja e trashëguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe polici ka qenë shumë e keqe, dhe se sistemi ka qenë i rrënuar. Përfaqësuesit e sindikatave ranë dakord se në periudhën e fundit është bërë një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar ndër vite. “Ministri Sharanoviq rikujtoi se janë realizuar ose janë në proces shumë aktivitete – nga blerja e automjeteve dhe pajisjeve specifike, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore përmes një procesi të veçantë punësimi, përshpejtimi i procedurave për pranimin e kadetëve nga Akademia e Policisë, blerja e uniformave për të gjithë trupën policore, deri te ndryshimet ligjore që forcojnë sistemin në shumë segmente”, thuhet në njoftim. Sindikatat theksuan se presin vazhdimin e aktiviteteve për përmirësimin e kushteve të punës. “Dyert e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë të hapura për propozime konstruktive që kontribuojnë në përmirësimin e pozitës së çdo individi dhe të shërbimit në tërësi. Problemet mund të zgjidhen vetëm në mënyrë të përbashkët, përmes kornizës institucionale dhe dialogut – dhe jo përmes presioneve dhe shantazheve. Rruga është besimi, partneriteti dhe rezultatet. Nuk do të premtoj gjëra joreale, por çdo gjë që premtoj – do të realizohet”, tha ministri. Sharanoviq theksoi se Ministria, së bashku me sindikatat, do të vazhdojë dialogun social aktiv me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe të qëndrueshme për përmirësimin e pozitës materiale të punonjësve. “Gjithashtu, ministri i mbështeti sindikatat në përpjekjet e tyre për përmirësimin e gjendjes ekonomike të të punësuarve, dhe theksoi se pret mirëkuptim nga autoritetet përkatëse gjatë planifikimit të buxhetit të ri, si në pjesën e rritjes së të ardhurave, ashtu edhe në forcimin e sektorit përmes realizimit të projekteve, sepse – siguria ka kosto”, thuhet në njoftim. Veçanërisht u theksua se në kushtet e veprimit hibrid aktual të drejtuar kundër MPB-së, sindikatat kanë dhënë mbështetje të fuqishme për procesin e pastrimit të sistemit nga punonjësit e padenjë të policisë (procesi i vetingut), duke theksuar se një polici profesionale, e përgjegjshme dhe e ndershme duhet të jetë themeli i sigurisë në Mal të Zi. Në këtë kontekst u përmendën edhe kërcënimet hibride të pretenduara, të cilat janë aktive pikërisht për shkak të zbatimit të procesit të vetingut. “U theksua se në rrethana të tilla është veçanërisht e rëndësishme që të gjithë të qëndrojnë në të njëjtin mision – të ruajnë së bashku unitetin, kuadrin institucional dhe besimin e qytetarëve, sepse vetëm një qasje e tillë mund të sigurojë sukses në vendosjen dhe ruajtjen e sundimit të plotë të ligjit. Çdo devijim jashtë mekanizmave institucionalë – theksoi ministri – nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve, por mund të dëmtojë përpjekjet e përbashkëta dhe të shfrytëzohet nga ata që, përmes kërcënimeve hibride, synojnë të prishin unitetin dhe të dobësojnë besimin në institucione”, thuhet në njoftim. Në fund të takimit u konkludua se Ministria dhe sindikatat do të punojnë në partneritet gjatë periudhës së ardhshme për përmirësimin e statusit dhe integritetit profesional të punonjësve të policisë, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve materiale dhe teknike të policisë