Qeveria, çështjet e identitetit dhe integrimet evropiane
Prej Tv Teuta11 January 2026
Nga Partia Popullore Demokratike deklarojnë se akuzat e Lëvizjes “Evropa Tani” se iniciativat e tyre drejtuar qeverisë, të cilat lidhen me çështje identitare, mund të rrezikojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, janë të pabazuara. Nga Demokracia e Re Serbe, në mënyrë jozyrtare për Radion e Malit të Zi, theksojnë se në iniciativën e Partisë Popullore Demokratike nuk ka asgjë të re krahasuar me kërkesat që partitë serbe kanë paraqitur edhe më herët. Ndërkohë, opozita paralajmëron se gjatë këtij viti priten pengesa të shumta në procesin e integrimit evropian. Debati u intensifikua pasi deputetja e partisë Civis, Maja Vuçeliq, paralajmëroi se kërkesat më të fundit të Partisë Popullore Demokratike mund të hapin rrugën për një krizë politike dhe të rrezikojnë të ardhmen evropiane të Malit të Zi. Pas kësaj reagoi zëdhënësja e kësaj partie, Jovana Todoroviq, e cila përmes rrjetit social “X” kritikoi ashpër deklaratat, duke i cilësuar si të përsëritura, me të njëjtin ton dhe pa përmbajtje reale. Kryetari i Partisë Popullore Demokratike, Millan Knezheviq, reagoi gjithashtu përmes rrjetit social Instagram, duke theksuar se kritikat nuk mund ta ndalin në rrugën e tij politike. Ai deklaroi se po të kishte marrë seriozisht çdo reagim negativ, do të kishte hequr dorë nga objektivat e tij politike shumë kohë më parë. Nga Demokracia e Re Serbe u tha se kërkesat e paraqitura nga Partia Popullore Demokratike nuk përbëjnë risi në përmbajtje, por se e reja qëndron në faktin se këtë herë realizimi i tyre është kushtëzuar me largimin e ministrave të kësaj partie nga qeveria, në rast se kërkesat nuk pranohen. Analisti politik Millo Popoviq vlerëson se në këtë situatë radha është e pushtetit ekzekutiv, përkatësisht e Lëvizjes “Evropa Tani”. Sipas tij, kjo forcë politike duhet të përcaktohet në mënyrë konstruktive ndaj këtyre temave, jo domosdoshmërisht duke i pranuar plotësisht, por duke hapur dialog serioz, pasi çështjet identitare mbeten të rëndësishme për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialdemokrate dhe një nga drejtuesit e Aleancës Evropiane, Ivan Vujoviq, deklaroi se qeveria aktuale mund t’i përmbyllë negociatat teknike për anëtarësim, por nuk është në gjendje ta çojë Malin e Zi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se vendit i nevojitet një qeveri autentikisht proevropiane, e liruar nga faktorë politikë destruktivë me agjenda që, sipas tij, nuk kanë lidhje me vlerat evropiane. Vujoviq paralajmëroi se gjatë këtij viti priten pengesa dhe bllokime të shumta në rrugën evropiane të Malit të Zi.