Politikë

Aktuale Më shumë

Që nga fillimi i punës së Qeverisë së Millojko Spajiq, Ora e Kryeministrit është bërë e pakuptimtë

Prej Tv Teuta19 January 2026

Për pak më shumë se dy vjet punë të Qeverisë së Millojko Spajiq, kryeministri është paraqitur në seancën plenare të Kuvendit vetëm njëmbëdhjetë herë nga 18 sa ishin paraparë (61%). Pavarësisht se, sipas praktikës së vendosur, ora e kryeministrit mbahet një herë në muaj gjatë seancave të rregullta të Kuvendit, Spajiq gjatë vitit 2025 u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve vetëm pesë herë nga tetë sa ishin paraparë, tregon analiza e Institutit Alternativa. Rregullorja e Kuvendit të Malit të Zi përcakton se ora e kryeministrit mbahet të paktën një herë në dy muaj gjatë seancave të rregullta të Kuvendit. Edhe pse një normë e tillë mund të hapë dilema në interpretim, siç theksohet në njoftimin e kësaj OJQ-je, as pushteti dhe as opozita nuk e kontestojnë se kryeministri duhet t’i përgjigjet ftesës një herë në muaj – gjithsej tetë herë në vit, nga një herë për secilin muaj të seancave të rregullta (pranverore dhe vjeshtore) të Kuvendit. “Një interpretim të tillë e kanë respektuar plotësisht paraardhësit e Spajiqit. Kryeministri i Qeverisë së 42-të të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, gjatë mandatit njëvjeçar u është përgjigjur tetë herë pyetjeve të deputetëve – nga katër herë për nga katër muaj të seancave të rregullta të Kuvendit. Pasardhësi i tij dhe kryeministri i Qeverisë së 43-të, Dritan Abazoviq, gjatë katër muajve të funksionimit të qeverisë së tij u është përgjigjur tri herë pyetjeve parlamentare. Pavarësisht se pas rrëzimit të Qeverisë së 43-të Abazoviq mbeti në pozitën e kryeministrit në mandat teknik për më shumë se një vit, gjatë asaj periudhe nuk u mbajt asnjë seancë e orës së kryeministrit. Sipas raportimeve mediatike, kjo ishte marrëveshje e shefave të grupeve parlamentare, gjë që rezultoi me faktin se pushteti ekzekutiv për më shumë se një vit nuk u mbikëqyr në parlament”, thuhet në njoftim. Ata kujtojnë se Qeveria e liderit të Lëvizjes “Evropa Tani”, Millojko Spajiq, është formuar më 31 tetor 2023. Në këtë periudhë, në vend të 18 herëve, Spajiq u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve vetëm 11 herë. Madje pesë seanca të orës së kryeministrit gjatë dy viteve të fundit janë shtyrë një ose më shumë herë, ndërsa gjatë vitit 2025 janë mbajtur vetëm pesë nga tetë seancat e parapara kushtuar orës së kryeministrit. “Që nga fillimi i punës së Qeverisë së 44-të të Millojko Spajiq, ky mekanizëm kontrolli i Kuvendit është bërë i pakuptimtë në disa mënyra – kryesisht duke shtyrë dhe anuluar seancat e orës së kryeministrit pavarësisht termineve tashmë të caktuara. Kryeministri shpeshherë i ka publikuar përgjigjet vetëm në faqen e internetit të Qeverisë së Malit të Zi, pa pjesën gojore dhe pa u përgjigjur në seancën plenare, ndërsa ka ndodhur edhe që opozita me bllokadë fizike të pengojë funksionimin e parlamentit, siç ishte rasti gjatë mbajtjes së seancës së orës së kryeministrit në fund të dhjetorit 2024”, thuhet në IA. Një qasje disi ndryshe ndaj parlamentit Spajiq e ka treguar gjatë sesionit vjeshtor – në tetor, nëntor dhe dhjetor 2025 është mbajtur nga një seancë e dedikuar orës së kryeministrit, pa kontestime dhe shtyrje paraprake. Megjithatë, paparashikueshmëria e paraqitjes së kryeministrit dhe vendosja e kushteve nën të cilat ai do t’u përgjigjet pyetjeve ndikojnë drejtpërdrejt në (pa)stabilitetin e punës së parlamentit, por edhe e zbrazin nga kuptimi institutin e orës së kryeministrit, funksioni kryesor i së cilës është mbikëqyrja e pushtetit ekzekutiv. Kjo analizë është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i debatit publik dhe përmirësimi i cilësisë së dialogut publik në pushtetin ligjvënës”, të cilin Instituti Alternativa e zbaton me mbështetjen e Fondacionit Kombëtar për Demokraci (National Endowment for Democracy).