Shëndeti

Aktuale Më shumë

Protest nesër nga Sindikata e Shëndetësisë në Podgoricë në mbështetje të infermierëve dhe teknikëve mjekësorë

Prej Tv Teuta2 July 2025

  Sindikata e Shëndetësisë do të organizojë nesër një protestë në Sheshin Vektra në Podgoricë, me qëllim – siç është bërë e ditur – mbrojtjen e dinjitetit të infermierëve dhe teknikëve mjekësorë. Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi ka ftuar anëtarësinë dhe të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e planifikuar për në orën 15:30, për të dhënë mbështetje përpjekjeve të Sindikatës së Shëndetësisë. Në një deklaratë për shtyp, Unioni i Sindikatave të Lira të Malit të Zi thekson se është krejtësisht e papranueshme që infermierët dhe teknikët mjekësorë – që përbëjnë shtyllën e sistemit shëndetësor dhe puna e të cilëve kërkon nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi – prej vitesh injorohen në aspektin e kushteve të punës, sigurisë në punë dhe pagës. „Edhe pse koeficienti i kompleksitetit të punës përcaktohet jo vetëm në bazë të arsimimit, por edhe mbi bazën e përgjegjësisë, kompleksitetit të detyrës dhe kushteve të punës, paga bazë për këtë profesion zakonisht është nën 600 euro, që është në nivelin e pagës minimale si kategori mbrojtëse“, thuhet në njoftim. Sipas Unionit, veçanërisht shqetësues është fakti se koeficienti i kompleksitetit të punës për këtë profesion është rreth 10 për qind më i ulët krahasuar me të gjithë punonjësit e tjerë me të njëjtin nivel kualifikimi në Mal të Zi. „Infermierët dhe teknikët mjekësorë meritojnë vëmendje të veçantë nga vendimmarrësit dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të mbrojtur dinjitetin e profesionit të tyre, për të siguruar një jetë cilësore dhe për të garantuar qëndrimin e tyre në vend dhe në vendet e punës“, theksohet në deklaratë. Unioni paralajmëron se çdo humbje e mëtejshme e këtij kuadri të vlefshëm nuk përbën vetëm një humbje për sistemin shëndetësor, por për tërë shoqërinë. „Të bindur se protesta e planifikuar – një nga shumë aktivitetet shumëmujore të punonjësve të kësaj fushe – do të jetë alarmi i fundit për vendimmarrësit që të qasen me përgjegjësi të plotë në gjetjen e zgjidhjeve dhe krijimin e kushteve për korrigjimin e padrejtësive disavjeçare ndaj statusit të infermierëve dhe teknikëve mjekësorë, japim mbështetjen tonë të plotë për luftën e tyre sindikale dhe punëtore“, përfundon njoftimi i Unionit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi.