Për shkak të kushteve atmosferike, Festa e 17-të e Gështenjave në Krajë shtyhet për datat 15 dhe 16 nëntor
Prej Tv Teuta11 November 2025
Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe reshjeve të shiut, manifestimi tradicional “Festa e Gështenjave”, i cili ishte paraparë të mbahej më 8 dhe 9 nëntor në Ostros, është shtyrë për datat 15 dhe 16 nëntor 2025.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Bashkësisë Lokale të Krajës, z. Beqir Berjashi, i cili theksoi se shtyrja është bërë për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe pjesëmarrjen sa më të gjerë të vizitorëve.
“Kushtet atmosferike nuk na lejuan që ta mbajmë festën në datat e planifikuara, prandaj vendosëm ta shtyjmë për një javë. Duam që Festa e Gështenjave të zhvillohet në atmosferën e duhur, ashtu siç e meriton tradita e Krajës,” – deklaroi Berjashi.
Festa e Gështenjave, tashmë në edicionin e saj të 17-të, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe bujqësore të Krajës dhe komunës së Tivarit. Ajo bashkon traditën, prodhimet vendase, artin dhe njerëzit e kësaj treve të njohur për mikpritje e bujari.
“Kraja është një vend i bekuar me tokë pjellore dhe klimë të përshtatshme për shumë kultura bujqësore. Kemi fiq, shega, ullinj, mandarina, por mbi të gjitha gështenja – krenaria jonë. Kjo festë është mënyra më e bukur për të promovuar prodhimet e zonës dhe për të afirmuar emrin e Krajës në mbarë rajonin,” – shtoi ai.
Edicioni i sivjetëm do të ofrojë një program dyditor të pasur me aktivitete kulturore, artistike dhe kulinare. Në skenën e Ostrosit do të performojnë Leonora Jakupi, Asim Gashi dhe këngëtari krajan Myzafer Koliqi, ndërsa dita e dytë do t’i kushtohet artistëve nga Shkodra, duke sjellë një frymë bashkimi kulturor ndërmjet trevave shqiptare.
Në qendër të Ostrosit do të vendosen mbi 50 stenda ekspozuese me produkte bujqësore dhe ushqime tradicionale. Stendat do të jenë falas për ekspozuesit, në mënyrë që të inkurajohen prodhuesit lokalë. Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë gështenjat e pjekura, produktet artizanale dhe mikpritjen e njohur të Krajës.