Për fshehjen e pasurisë së funksionarëve deri në tetë vjet burg
Prej Tv Teuta17 January 2026
Ministria e Drejtësisë ka zyrtarizuar Draft-ligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal, me të cilin futet një vepër e re penale – pasurimi i paligjshëm në lidhje me ushtrimin e funksionit publik, si një nga mekanizmat kyç në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Me zgjidhjen e propozuar, për herë të parë kriminalizohet në mënyrë eksplicite fitimi i pasurisë nga funksionarët publikë që është në mospërputhje të dukshme me të ardhurat e tyre të ligjshme, edhe në rastet kur nuk është e mundur të provohet prejardhja konkrete e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Sipas nenit të ri 417a të Kodit Penal, funksionari publik që, gjatë ushtrimit të funksionit ose në periudhën e detyrimeve që lidhen me funksionin publik, fiton, transferon ose fsheh pasuri me vlerë mbi 50.000 euro, e cila nuk përputhet me të ardhurat e tij të ligjshme, mund të dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Parashikohet edhe konfiskimi i detyrueshëm i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme Nëse vlera e kësaj pasurie tejkalon 100.000 euro, parashikohet dënim me burg nga një deri në tetë vjet. Ligji parashikon gjithashtu konfiskimin e detyrueshëm të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, pa përjashtime. Theks i veçantë i është vënë parandalimit të fshehjes së pasurisë përmes anëtarëve të familjes dhe personave të tjerë të afërt. Drafti përcakton qartë se pasuria e fituar ose e transferuar përmes personave të lidhur do të konsiderohet pasuri e funksionarit publik, përveç nëse provohet e kundërta. Rrethi i personave të lidhur përfshin të afërmit në vijë të drejtë dhe anësore deri në shkallën e dytë, të afërmit nga krushqia, bashkëshortët dhe partnerët jashtëmartesore, partnerët në bashkësi jetese të personave të të njëjtit seks, prindërit adoptues dhe të adoptuarit, anëtarët e të njëjtës familje, si dhe çdo person tjetër fizik ose juridik me të cilin funksionari publik ka marrëdhënie biznesi apo marrëdhënie tjetër për përfitim personal. Në këtë mënyrë, siç thuhet në arsyetim, parandalohet praktika e “zhvendosjes” formale të pasurisë te persona të tretë për të shmangur përgjegjësinë penale. Në Ministrinë e Drejtësisë theksojnë se veprat penale ekzistuese, si shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe pastrimi i parave, nuk janë të mjaftueshme në rastet kur nuk mund të provohet rrjedha e saktë e parave ose vepra konkrete penale nga e cila buron pasuria. “Futja e veprës penale të pasurimit të paligjshëm përfaqëson një përgjigje ndaj kësaj boshllëku juridik dhe mundëson ndjekje më efikase të rasteve të korrupsionit të lartë”, thuhet në arsyetimin e Draftit. Ndryshimet e propozuara harmonizojnë më tej legjislacionin malazez me Direktivën (BE) 1260/2024, e cila rregullon konfiskimin e pasurisë së fituar nga aktivitetet kriminale, si dhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit. Forcimi i sundimit të ligjit Siç theksohet, funksionarët publikë tashmë kanë detyrim ligjor për të deklaruar të ardhurat dhe pasurinë, prandaj prej tyre pritet një nivel më i lartë transparence dhe përgjegjësie. “Posedimi i pasurisë joproporcionale e cenon seriozisht besimin e qytetarëve te bartësit e funksioneve publike dhe integritetin e institucioneve”, thuhet në arsyetim, me vlerësimin se norma e re penale do të kontribuojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe në përmbushjen e detyrimeve nga kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Për zbatimin e ligjit, siç thuhet, nuk nevojiten mjete shtesë nga buxheti i Malit të Zi, gjë që e bën këtë akt financiarisht neutral, por potencialisht një mjet të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit sistemik. Draft-ligji ndodhet në fazën e debatit publik, pas së cilës pritet dërgimi i tij në procedurë parlamentare.