Partneritet për të ardhmen e sportit: Eagle Hills Montenegro dhe KV Ulqin nënshkruan marrëveshje sponsorizimi
Prej Tv Teuta13 November 2025
Në Ulqin u nënshkrua një marrëveshje sponsorizimi midis kompanisë Eagle Hills Montenegro dhe Klubit të Volejbollit Ulqin, me ç’rast u zyrtarizua një bashkëpunim i ri i orientuar drejt zhvillimit të sportit dhe mbështetjes së komunitetit lokal.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë përfaqësues të kompanisë Eagle Hills Montenegro, kryetari i klubit Radosheviq, trajnerët, volejbollistet dhe volejbollistët, si dhe shumë qytetarë të Ulqinit.
Drejtoresha e komunikimit, marketingut dhe bashkëpunimit institucional të kompanisë Eagle Hills Montenegro, Ana Martinoviq, shprehu kënaqësinë që kompania ka ofruar mbështetje për sportistët ulqinakë, duke theksuar se investimi në sport dhe në të rinjtë është investim në të ardhmen dhe përparimin e komunitetit lokal:
“Sot jam veçanërisht e lumtur që jam këtu në Ulqin dhe që po nënshkruajmë marrëveshjen me Klubin e Volejbollit Ulqin, sepse, sipas informacionit që kam, bëhet fjalë për një nga kolektivët sportivë më të mëdhenj në këtë komunitet. Në emër të kompanisë Eagle Hills Montenegro dhe z. Alabar, dua të theksoj se nuk ka investime të mira dhe projekte të suksesshme pa mbështetjen dhe kënaqësinë e komunitetit lokal,” tha ajo.
Ajo theksoi se mbështetja për sportin është një nga mënyrat më të rëndësishme me të cilat kompania kontribuon në zhvillimin e komunitetit dhe nxit vlera pozitive te të rinjtë:
“Përmes punës sonë në Mal të Zi kemi treguar se duam të kontribuojmë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë shoqëror – sidomos përmes sportit. Përveç iniciativave ekologjike dhe projekteve për fëmijët me nevoja të veçanta, sportit i kemi dhënë rëndësi të veçantë si sponsor gjeneral i Federatës së Volejbollit të Malit të Zi. Prandaj, bashkëpunimi me KV Ulqin përfaqëson një vazhdim natyral dhe të rëndësishëm të këtij rrugëtimi,” tha Martinoviq.
Kryetari i Klubit të Volejbollit Ulqin, Vukashin Radosheviq, theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së sponsorizimit me kompaninë Eagle Hills Montenegro është një moment i rëndësishëm për klubin dhe një shtysë e fortë për zhvillimin e sportit në Ulqin:
“Klubi i Volejbollit Ulqin me krenari njofton se ka nënshkruar marrëveshje sponsorizimi me kompaninë Eagle Hills Montenegro, një nga investitorët kryesorë në fushën e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit të projekteve luksoze në Mal të Zi. Me këtë partneritet, Eagle Hills Montenegro bëhet sponsor zyrtar i klubit tonë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Ulqin dhe për mbështetjen e talenteve të rinj që përfaqësojnë të ardhmen e volejbollit malazez.
Ky partneritet për ne ka një rëndësi të madhe – jo vetëm për mbështetjen financiare, por edhe sepse përbën një njohje për punën tonë, përkushtimin dhe angazhimin për zhvillimin e sportit në qytetin tonë. Jemi mirënjohës ndaj kompanisë Eagle Hills Montenegro për besimin dhe besojmë se së bashku do të arrijmë suksese të reja dhe do të motivojmë brezat e rinj të merren me sport,” tha Radosheviq.
Ai shtoi se kjo marrëveshje është dëshmi se puna e përkushtuar dhe rezultatet njihen, dhe se bashkëpunimi me Eagle Hills Montenegro do të forcojë më tej frymën sportive dhe unitetin në Ulqin.
Eagle Hills Montenegro mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes së sportit, të rinjve dhe zhvillimit të komuniteteve lokale në gjithë Malin e Zi, duke dëshmuar se përparimi i vërtetë arrihet përmes bashkëpunimit, përgjegjësisë dhe investimit në të ardhmen.