Slider

Aktuale Më shumë

Pa vendime me shkrim: Fëmija i vendosur në kujdestari, të drejtat e familjes të shkelura

Prej Tv Teuta19 January 2026

Institucioni i Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke vepruar sipas ankesës, ka konstatuar se Qendra për Punë Sociale Podgoricë ka shkelur të drejtat e nënës dhe të gjyshes së një fëmije të mitur, pasi nuk u ka dorëzuar vendime formale dhe të arsyetuara për marrjen e fëmijës dhe vendosjen e tij në një familje kujdestare. Ankesa është paraqitur nga gjyshja e fëmijës, e cila është njëkohësisht edhe kujdestare e vajzës së saj, duke theksuar se vajza e saj në vitin 2025 ka lindur një djalë, ndërsa pjesën më të madhe të shtatzënisë dhe dy muaj pas lindjes i ka kaluar në trajtim në Spitalin Special për Psikiatri në Dobrotë. Gjatë kësaj periudhe edhe foshnja ka qenë për një kohë e shtruar në Qendrën Klinike të Malit të Zi, pas së cilës gjyshja ka marrë përsipër kujdesin për fëmijën. Sipas pretendimeve në ankesë, pak para kthimit të nënës nga spitali, Qendra për Punë Sociale e ka njoftuar gjyshen se fëmija duhet të largohet nga familja, pasi gjoja nuk janë përmbushur kushtet e sigurisë, dhe se ajo nuk mund të jetë kujdestare, edhe pse kishte paraqitur kërkesë dhe kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. “Më 5 gusht 2025, fëmija u mor nga Qendra dhe u vendos në kujdestari, pa iu dorëzuar familjes asnjë vendim me shkrim”, thuhet në Mendimin e zëvendëses së Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Snezhana Mijushkoviq. Mbrojtësi ka kërkuar sqarim nga Qendra për Punë Sociale Podgoricë, e cila ka deklaruar se ka vepruar në interesin më të mirë të fëmijës, duke pasur parasysh trajtimin psikiatrik afatgjatë të nënës, rrethanat familjare dhe vlerësimet e shërbimeve profesionale. “Qendra ka konfirmuar se fëmija është vënë nën kujdestarinë e Qendrës dhe është vendosur në një familje kujdestare, si dhe se nëna dhe gjyshja realizojnë kontakte me fëmijën në ambientet e Qendrës”, thuhet në Mendim. Megjithatë, në sqarimin plotësues, Qendra ka deklaruar se vendimet nuk i janë dorëzuar nënës për shkak të gjendjes së saj shëndetësore dhe vlerësimit se është në interesin më të mirë të fëmijës që identiteti i kujdestarëve të mbetet i mbrojtur. Po ashtu, është theksuar se gjyshja, sipas vlerësimit të Qendrës, nuk është e përshtatshme për kujdestari për shkak të situatës së përgjithshme familjare dhe gjendjes shëndetësore të vajzës së saj, me të cilën jeton në të njëjtën familje, por se për kërkesën e saj nuk është marrë një vendim formal. Pas zhvillimit të procedurës, Mbrojtësi ka konstatuar se Qendra për Punë Sociale ka shkelur të drejtën për një vendim të arsyetuar dhe të drejtën për mjet juridik, të garantuara nga neni 20 i Kushtetutës së Malit të Zi, si dhe të drejtën për jetë familjare nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Është theksuar veçanërisht se nënës së fëmijës nuk i janë dorëzuar vendimet për kujdestarinë e përkohshme dhe kujdestarinë familjare, edhe pse këto akte janë miratuar, duke ia mohuar asaj mundësinë që t’i kundërshtojë ato para organeve kompetente. Mbrojtësi ka theksuar se, pavarësisht detyrimit të Qendrës për të mbrojtur interesin më të mirë të fëmijës, prindi duhet të njoftohet formalisht dhe me shkrim për masat që ndërhyjnë në jetën familjare, me arsyetim të qartë dhe udhëzim për mjet juridik. E njëjta gjë vlen edhe për gjyshen e fëmijës, kërkesa e së cilës për strehim familjar nuk është shqyrtuar përmes një vendimi formal. Në mendim kujtohet edhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës organet kombëtare janë të detyruara t’i arsyetojnë qartë dhe në mënyrë të detajuar vendimet e tyre, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me kujdestarinë dhe marrëdhëniet familjare, me qëllim që të sigurohet një proces i drejtë. Mbrojtësi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Malit të Zi i ka dhënë rekomandime Qendrës për Punë Sociale Podgoricë që, pa vonesë të mëtejshme, t’ia dorëzojë nënës së fëmijës vendimet e arsyetuara për kujdestarinë dhe strehimin familjar të djalit të saj, si dhe të vendosë për kërkesën e gjyshes për kujdestari dhe t’ia dorëzojë asaj një vendim formal dhe të arsyetuar, me të drejtë të garantuar për mjet juridik.