Në Mal të Zi veprojnë mbi 12 500 kompani turke
Prej Tv Teuta4 November 2025
Në Mal të Zi sot operojnë më shumë se 12.500 kompani turke, gjë që tregon qartë besimin e biznesit turk në ekonominë malazeze, ka deklaruar Burhan Genc, kryetar i Dhomës Ekonomike Turke në Mal të Zi (TurkCham Montenegro). Në aktivitetin e parë të organizuar në kuadër të platformës Business Talks, që u mbajt nga TurkCham Montenegro, Genc theksoi rëndësinë e takimeve të tilla për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. “Ky takim nuk është vetëm një mbledhje konsultative, por edhe një mundësi për të vlerësuar nivelin aktual të marrëdhënieve ekonomike midis Turqisë dhe Malit të Zi dhe për të forcuar themelet e së ardhmes sonë të përbashkët,” tha Genc. Ai shtoi se investimet direkte nga Turqia në Mal të Zi gjatë vitit të kaluar kanë arritur në 100,9 milionë euro, ndërsa vetëm në tetë muajt e parë të këtij viti ky shumë është afër 92 milionë eurove. “Këto rezultate tregojnë se Turqia është bërë investitori më i madh i huaj në Mal të Zi dhe se marrëdhëniet tona ekonomike po shënojnë një zhvillim të fortë,” shtoi ai. Qëllimi i takimit ishte forcimi i dialogut ekonomik dhe lidhjeve të fuqishme mes biznesmenëve turq dhe malazezë. Gjatë forumit u diskutua për marrëdhëniet aktuale ekonomike ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ekonomike. Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Bariş Kalkavan, u ndal te zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes dy vendeve: “Janë bërë përpjekje për të dëmtuar miqësinë mes popujve turk dhe malazez, por ajo është aq e sinqertë dhe e fortë sa ka dalë edhe më e qëndrueshme nga ky proces. Kontaktet midis institucioneve tona po zhvillohen pa pengesa dhe në nivelin më të lartë. Së shpejti do të takohen edhe ministrat e punëve të brendshme të dy vendeve, dhe jam i bindur se do të kthehemi shpejt tek praktikat e mëparshme,” tha Kalkavan. Ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Slaven Radunoviq, falënderoi ambasadorin Kalkavan dhe theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy shteteve. “Investitorët turq janë partnerë të besueshëm. Mali i Zi, megjithëse një vend i vogël, synon të ofrojë një mjedis biznesi transparent dhe nxitës për sektorin privat. Ne e vlerësojmë veçanërisht bashkëpunimin me kompanitë turke në fushat e ndërtimit, turizmit dhe tregtisë,” deklaroi Radunoviq. Ai shtoi se është krijuar një platformë dixhitale përmes së cilës investitorët mund të marrin të gjitha informacionet për pronën shtetërore, dhe se qëllimi i Qeverisë është të thjeshtojë procedurat e blerjes dhe dhënies me qira, duke ruajtur interesat e komunitetit lokal. “Kemi ndërmarrë një sërë reformash për të përshpejtuar proceset e privatizimit dhe për t’i përshtatur ato me nevojat e tregut. Synojmë që Mali i Zi të bëhet një vend i njohur për biznes të sigurt dhe efikas,” shtoi ministri. Duke folur për sfidat e fundit, Radunoviq tha se ai e sheh atë periudhë si një provë të marrëdhënieve tona – një provë që e kemi kaluar me sukses. “Kemi dëshmuar se marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Turqisë janë të forta dhe stabile. Kërkojmë mirëkuptim, sepse fluksi i papritur i njerëzve në një periudhë të shkurtër ka shkaktuar shqetësim në një pjesë të shoqërisë, por marrëdhëniet tona mbeten të forta dhe miqësore,” tha Radunoviq. Në forum, sipas njoftimit, biznesmenët turq dhe malazezë patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt për projekte konkrete, sfida administrative dhe mundësi për përmirësimin e klimës investuese.