Ekonomi

Aktuale Më shumë

Ministria e Financave e njohur si një nga gjeneratorët kryesorë të reformave evropiane

Prej Tv Teuta5 November 2025

Raporti më i ri i Komisionit Evropian për Malin e Zi konfirmon se Ministria e Financave është njohur si një nga gjeneratorët kryesorë të reformave evropiane, me rezultate të dukshme pothuajse në të gjitha kapitujt për të cilat ky dikaster është përgjegjës. Sipas njoftimit, ky raport është një konfirmim se reformat që po zbatohen janë sistematike, të qëndrueshme dhe të orientuara strategjikisht drejt krijimit të një ekonomie moderne, stabile dhe konkurruese – ekonomie që është e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Ministria e Financave ka një nga rolet më të rëndësishme në procesin negociator, me kompetencë të drejtpërdrejtë në plot 11 kapituj dhe me pjesëmarrje aktive në pothuajse të gjithë të tjerët. Në shumicën e kapitujve është evidentuar përparim i mirë ose shumë i mirë, gjë që tregon qartë se shtylla ekonomike e integrimeve evropiane të Malit të Zi është e vendosur fort. Komisioni Evropian ka njohur përparimin në përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësim, veçanërisht në përmirësimin e disiplinës fiskale dhe reformën e sistemit të financave publike. Ministria e Financave mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të përgjegjësisë fiskale, funksionalitetit të Këshillit Fiskal dhe përafrimit të mëtejshëm me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim. Në vitin e kaluar, Ministria ka zbatuar një nga fazat më gjithëpërfshirëse të reformave në historinë e re të vendit. Janë miratuar 16 ligje të reja që lidhen me kapitujt 4 – Liria e lëvizjes së kapitalit dhe 9 – Shërbimet financiare. “Një hap i madh është bërë edhe me anëtarësimin e Malit të Zi në Tregun e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA), duke u mundësuar qytetarëve dhe ekonomisë transaksione më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira në euro, në mënyrë plotësisht të barabartë me vendet anëtare të BE-së. Ky hap forcon më tej konkurrueshmërinë dhe integrimin e sistemit financiar të Malit të Zi në hapësirën ekonomike evropiane,” thekson Ministria.   Komisioni Evropian ka lavdëruar posaçërisht kapitullin 32 – Mbikëqyrja financiare, ku Mali i Zi ka arritur përparim shumë të mirë. Ministria e Financave, gjatë gjashtë muajve të fundit, ka zbatuar një sërë masash në këtë drejtim, përfshirë miratimin e Ligjit për kontrollin e brendshëm dhe auditimin e brendshëm në sektorin publik, përgatitjen dhe miratimin e Metodologjisë së re të auditimit të brendshëm, përcaktimin e një harte rruge për forcimin e përgjegjësisë menaxheriale dhe organizimin e trajnimeve për forcimin e kapaciteteve në ndërmarrjet shtetërore. Këto aktivitete krijojnë themele për një menaxhim më transparent të fondeve publike dhe rrisin besimin e qytetarëve dhe investitorëve. “Ministria e Financave po shënon gjithashtu sukses të rëndësishëm në kapitullin 29 – Unioni Doganor, ku Mali i Zi i është bashkuar Konventës për procedurën e përbashkët të tranzitit. Nga 1 nëntori 2025, tranziti i mallrave me vendet anëtare të BE-së do të jetë më i shpejtë, më i lirë dhe më i sigurt falë futjes së Sistemit të Ri të Tranzitit të Kompjuterizuar (NCTS). Me këtë hap, Mali i Zi bëhet pjesë e një rrjeti të madh evropian që lidh ekonominë e tij me një treg prej mbi 450 milion konsumatorësh,” thuhet në njoftimin e këtij dikasteri qeveritar. Ministria e Financave vazhdon të udhëheqë proceset reformuese që forcojnë stabilitetin ekonomik, përgjegjësinë fiskale dhe qëndrueshmërinë e financave malazeze. Çdo hap i ri në procesin e integrimeve evropiane konfirmon se Mali i Zi nuk po ndjek rrugën e reformave vetëm sepse është pjesë e agjendës, por sepse e di se ky është rrugëtimi drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të drejtë dhe më të begatë. “Suksesi i Ministrisë së Financave është sukses i të gjithë shtetit. Rruga jonë evropiane nuk është vetëm një vendim politik, por një strategji ekonomike që çon drejt një standardi më të lartë jetese dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë,” përfundon njoftimi.