Politikë

Politikë Më shumë

Mandiq kërkoi dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Markoviq e refuzoi

Prej Tv Teuta24 October 2025

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dje ka kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit (VDT), Millorad Markoviq, që të japë dorëheqjen, duke akuzuar Prokurorinë se po përpiqet të imponohet në mënyrë antikushtetuese si “pushteti i katërt”. Markoviq u kundërpërgjigj se nuk do të japë dorëheqjen dhe se Prokuroria, me të në krye, është institucion i pavarur që nuk vepron sipas urdhrave politike.

Gjatë debatit në Kuvend, Mandiq tha se Kushtetuta qartë përcakton tre pushtete: legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, por Prokuroria, sipas tij, “po sillet me arrogancë duke tentuar të krijojë një të katërt”. Ai akuzoi Prokurorin e Përgjithshëm se po e përdor institucionin për përplasje politike dhe se shpesh po abuzon me pushtetin.

“E ndjejmë arrogancën dhe synimin për të krijuar një pushtet të katërt, gjë që është e papranueshme,” tha Mandiq, duke i kujtuar Markoviqit se është zgjedhur me marrëveshjen e shumicës parlamentare.

Ai shtoi se Prokurori i Përgjithshëm duhet të ketë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve dhe nëse e humb këtë mbështetje, duhet të tërhiqet.

“Ngrihuni dhe thoni: nuk i kam përmbushur pritshmëritë, largohem nga kjo detyrë. Unë kam pritur të bëni diçka për Millo Gjukanoviqin, Aco Gjukanoviqin, Brano Gvozdenoviqin, Predrag Boshkoviqin… Nuk guxoni të flisni asgjë, ndërsa këtu merret me gjëra të dorës së dytë,” deklaroi Mandiq.

Kreu i Kuvendit kujtoi se ai kishte rol vendimtar në zgjedhjen e Markoviqit në krye të Prokurorisë, sepse njihte babanë e tij dhe kishte besuar se edhe i biri do të ishte vendimtar, i guximshëm dhe këmbëngulës si ai. “Dhe kam gabuar,” shtoi ai.

Mandiq theksoi gjithashtu se ndaj kryeministrit Millojko Spajiq po zhvillohet procedurë, ndërsa kallëzimet ndaj funksionarëve të DPS-it po hidhen poshtë, duke vlerësuar se Prokuroria në këtë mënyrë po përpiqet të ruajë ndikimin ndaj deputetëve.

“Ditët e fundit në media flitet se Prokuroria i mban disa politikanë ‘në sirtar’, që të kalojë raporti i saj i punës. Kjo duhet të zgjidhet menjëherë,” tha ai.

Ai i bëri thirrje edhe deputetëve të DPS-it që “të tregojnë se sa vota të sigurta u ka garantuar ndonjë prokuror”, duke vlerësuar se në Prokurori ende ka njerëz që kanë shërbyer ish-drejtueseve Vesna Medenica dhe Ivica Stankoviq.


Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Millorad Markoviq, i hodhi poshtë të gjitha akuzat dhe tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Nuk do të jap dorëheqjen, sepse kjo do të thoshte se heq dorë nga qëllimi që Prokuroria në Mal të Zi të jetë e pavarur. Kjo është parakusht thelbësor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian,” tha Markoviq.

Ai theksoi se Prokuroria nuk do të veprojë sipas presioneve politike, interesave apo ndikimeve të tjera dhe se procedimi i lëndëve po zhvillohet “në masën e mundësive”.

“Jetojmë në një kulturë pritshmërish. Pritet që unë për një vit e tetë muaj të ndryshoj të gjitha mangësitë në Prokurori, gjë që nuk është reale. Ka qindra sfera politike dhe të tjera që presin që të veprohet në disa raste, e në disa të mos veprohet,” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Ai shtoi se nderi i tij është më i rëndësishëm se posti dhe u kërkoi deputetëve që, nëse nuk janë të kënaqur me punën e tij, le të nisin procedurën për shkarkim.

“Mjaftojnë 25 deputetë që të nisë procedura. Nëse mendoni se nuk jam i mirë, urdhëroni. Por ky prokuror nuk do të ndryshojë dhe nuk do të veprojë ndryshe,” përfundoi Markoviq.