Kryetari i Bashkësisë Lokale të Krajës: Festa e 17-të e Gështenjave, traditë që bashkon prodhimet, kulturën dhe njerëzit e Krajës
Prej Tv Teuta4 November 2025
Në Ostros, më 8 dhe 9 nëntor, do të mbahet edicioni i 17-të i “Festës së Gështenjave”, një manifestim tashmë tradicional që është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore e bujqësore të Krajës dhe të gjithë komunës së Tivarit. Kryetari i Bashkësisë Lokale të Krajës Beqir Berjashi thekson se kjo festë, e cila është ndërprerë vetëm gjatë vitit të pandemisë, ka vazhduar më pas rregullisht, duke u bërë një simbol i identitetit dhe i begatisë së zonës.
“Kraja është një vend i bekuar me tokë pjellore dhe klimë të përshtatshme për shumë kultura bujqësore. Kemi fiq, shega, ullinj, mandarina, por mbi të gjitha gështenja – që janë krenaria jonë. Prodhimet e kësaj ane janë të një cilësie të lartë, prandaj kjo festë është një mënyrë për t’i promovuar ato dhe për të afirmuar emrin e Krajës në mbarë rajonin,” – u shpreh kryetari.
Këtë vit, Festa e Gështenjave do të zhvillohet me një program të pasur dyditor, që përfshin aktivitete kulturore, artistike dhe kulinare.
“Çdo vit mundohemi ta pasurojmë programin dhe ta bëjmë më tërheqës. Kemi përkrahje nga institucionet shtetërore dhe nga Komuna e Tivarit, që është bartësja kryesore e këtij aktiviteti,” – theksoi ai.
Në pjesën artistike, këtë vit do të performojnë disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare. “Pas suksesit të vitit të kaluar me Remzije Osmanin dhe vëllain e saj, këtë vit kemi një risi – në skenën e Ostrosit do të ngjiten Leonora Jakupi dhe Asim Gashi, si dhe këngëtari i njohur krajan Myzafer Koliqi,” – njoftoi Berjashi. Dita e dytë do të jetë e dedikuar artistëve dhe muzikantëve nga Shkodra, duke e bërë festën edhe më të pasur në diversitet kulturor.
Në qendër të Ostrosit do të vendosen mbi 50 stenda ekspozuese, ku do të prezantohen prodhime bujqësore të zonës. “Të gjitha stendat janë falas për ekspozuesit, sepse duam të inkurajojmë prodhuesit lokalë. Vizitorët do të mund të shijojnë gështenjat e pjekura, ushqimet tradicionale dhe mikpritjen e Krajës,” – shtoi ai.
Në festë pritet një pjesëmarrje e madhe nga Kraja, Ulqini, Tivari, Podgorica e Shkodra. Në hapje do të marrin pjesë përfaqësues të komunës së Tivarit, ndërsa janë ftuar edhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë në Mal të Zi si dhe Kryetari i Bashkis së Shkodrës.
Me këtë përkushtim dhe program të pasur, Festa e 17-të e Gështenjave pritet të sjellë sërish gjallëri, traditë dhe bashkim në zemrën e Krajës – aty ku gështenja mbetet jo vetëm një frut, por një simbol krenarie dhe trashëgimie.