Komisioni Evropian (KE) ka lavdëruar përparimin, viti 2026 do të jetë kyç për reformat dhe luftën kundër korrupsionit
Prej Tv Teuta5 November 2025
Raporti i Komisionit Evropian (KE), i paraqitur dje, është raporti më i mirë që Mali i Zi ka marrë ndonjëherë nga Komisioni Evropian, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Satler. Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën evropiane dhe se viti i ardhshëm do të jetë vendimtar për zbatimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Satler tha se do të nevojiten përpjekje shtesë, stabilitet politik dhe përqendrim i qeverisë dhe parlamentit në reformat. “BE mbetet partner i fortë i Malit të Zi në këtë rrugë, me mbështetje të fuqishme dhe pritshmëri të qarta”, theksoi Satler. Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se ky është raporti më pozitiv i KE-së deri tani. “Kjo tregon se kemi punuar me përkushtim në prioritetet kombëtare. Rruga e reformave nuk është e lehtë, por çdo ditë tregojmë se rezultatet vijnë kur kemi një qëllim të qartë,” tha Spajiq. Ai shtoi se raporti, përveç vlerësimeve pozitive, tregon qartë edhe sfidat që qëndrojnë përpara Malit të Zi. “Rekomandimet nga Brukseli nuk i shoh si ‘qortime’, por si një udhërrëfyes të saktë për administratën tonë, qeverinë dhe parlamentin,” u shpreh ai. Spajić lavdëroi gjithashtu rolin konstruktiv të opozitës në procesin evropian, duke vlerësuar se Mali i Zi po hyn në një fazë të pjekurisë demokratike dhe transformimit të thellë shoqëror. Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, vlerësoi se Mali i Zi është shteti kandidat më i përgatitur për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në paraqitjen e Paketës vjetore për zgjerimin, ajo theksoi se zgjerimi është një nga prioritetet kryesore të Komisionit dhe se anëtarësimi i vendeve të reja deri në vitin 2030 është një objektiv real, duke përmendur Malin e Zi dhe Shqipërinë si lidere të procesit të anëtarësimit. Ajo theksoi se ky është “moment i së vërtetës” për të gjithë kandidatët, të cilët duhet të zbatojnë reforma thelbësore, të përputhen me vlerat evropiane dhe të tregojnë lidership politik të bazuar në pajtim dhe konsensus. Kallas shtoi se marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përfshijnë mekanizma më të fortë mbrojtjeje për ruajtjen e të drejtave themelore dhe nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile. Kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në, Predrag Zenoviq, tha se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028 nuk është më vetëm një ambicie, por një pritshmëri reale, duke vlerësuar se raporti më i fundit i Komisionit Evropian e konfirmon përparimin e vendit. Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, pas takimit me Satlerin, deklaroi se raporti konfirmon që Mali i Zi është përsëri njohur si lider i integrimeve evropiane në rajon. “Jam i bindur se, nëse ruajmë këtë ritëm reformash dhe dialogu politik, Mali i Zi mund të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028. Si Kryetar i Kuvendit, konfirmoj përkushtimin e plotë të Parlamentit ndaj rrugës evropiane – përmes përgjegjësisë ligjvënëse, bashkëpunimit me Qeverinë dhe dialogut konstruktiv mes të gjitha forcave politike,” tha Mandi. Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, u shpreh se është koha që BE të fillojë hartimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit. “Besoj se ka ardhur momenti që BE të mbështesë ambicien tonë me një sinjal të qartë politik – duke filluar hartimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit,” tha Milatović për “Politico”-n e Brukselit. Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se Mali i Zi ka siguruar institucione demokratike dhe stabile, ka arritur rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit, “dhe ka zhvilluar një mjedis mediatik pluralist dhe të lirë, që do të thotë se sistemi ynë demokratik po piqet dhe forcohet çdo ditë,” tha ajo. Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvend dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve, Ivan Vukoviq, tha se toni pozitiv i raportit të KE-së dhe deklaratat optimiste të zyrtarëve të BE-së janë një inkurajim për këdo që dëshiron ta shohë Malin e Zi në BE. “Në të njëjtën kohë, duke u bazuar në përmbajtjen e raportit dhe gjithçka që kemi parë në vendin tonë gjatë vitit të kaluar, është plotësisht e qartë se Bashkimi dëshiron ta shohë Malin e Zi si shtetin e 28-të anëtar shumë më tepër sesa disa subjekte politike dhe individë që sot përbëjnë pushtetin shtetëror,” përfundoi Vukoviq.