Inovacionet përfaqësojnë motorin kryesor të rritjes së qëndrueshme ekonomike
Prej Tv Teuta12 November 2025
Inovacionet përfaqësojnë motorin kryesor të rritjes së qëndrueshme ekonomike, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së shoqërive moderne, deklaroi guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi (BQMZ), Irena Radoviq.
Radoviq mori pjesë në Tiranë në një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit të BQMZ-së, konferenca u organizua në bashkëpunim me Komitetin “Riinventimi i Bretton Woods” (Reinventing Bretton Woods Committee – RBWC) dhe mblodhi së bashku drejtuesit kryesorë të bankave qendrore, ekonomistë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare nga Evropa dhe bota. Pjesëmarrësit diskutuan për zhvillimet ekonomike globale, konvergencën rajonale dhe të ardhmen e parasë në epokën digjitale.
Radoviq foli në panelin “Zgjedhjet strategjike dhe sfidat e ardhshme të Evropës”, të kryesuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejku.
Ndër pjesëmarrësit ishin edhe Alfred Kammeri, drejtor për Evropën në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Primozh Dolenci, guvernatori i Bankës së Sllovenisë, Jasmina Selimoviq, guvernatore e Bankës Qendrore të Bosnjë-Hercegovinës, dhe Debora Revoltella, krye-ekonomiste e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).
Radoviq theksoi se inovacionet janë motori kryesor i rritjes së qëndrueshme ekonomike, konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së shoqërive moderne.
Në kontekstin e politikave evropiane, ajo nënvizoi se ambiciet dhe agjenda e Bashkimit Evropian (BE) në fushën e inovacioneve janë inkurajuese për vendet kandidate që synojnë krijimin e një ekosistemi konkurrues dhe gjithëpërfshirës, i cili lidh sektorin publik, biznesin, sistemin financiar dhe kërkimin shkencor.
Sipas saj, një qasje e tillë duhet të sigurojë që përfitimet nga inovacionet të shpërndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet rajoneve dhe grupeve shoqërore, duke kontribuar në kohezionin shoqëror dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Radoviq nënvizoi se Mali i Zi, si vend kandidat që i afrohet anëtarësimit në BE, ka një mundësi unike për të formësuar modelin e vet zhvillimor sipas politikave dhe praktikave më të mira evropiane.
Ajo kujtoi se Mali i Zi është vendi i parë jashtë BE-së që ka miratuar Strategjinë e Specializimit të Zgjuar, duke vendosur kështu themele të forta për zhvillimin e sistemit të inovacionit dhe transformimit digjital.
Duke folur për rolin e bankave qendrore në këto procese, Radoviq theksoi se koncepti modern i stabilitetit financiar mbështetet gjithnjë e më shumë në inovacione – nga zhvillimi i pagesave digjitale dhe zgjidhjeve FinTech, deri te përmirësimi i kapaciteteve analitike dhe mbikëqyrëse të bankave qendrore.
“Për Malin e Zi, BE përfaqëson spirancën më të rëndësishme të stabilitetit, sepse vetë procesi i anëtarësimit nënkupton forcimin e institucioneve, përmirësimin e rregullativës financiare dhe përfshirjen në ekosistemin financiar dhe inovativ evropian,” deklaroi Radoviq.
Sipas saj, transferimi i dijes, pjesëmarrja në nismat evropiane dhe zbatimi i standardeve të BE-së në sektorin digjital dhe financiar, i mundësojnë Malit të Zi të zbatojë më shpejt teknologjitë moderne, të përmirësojë kapacitetet mbikëqyrëse dhe të rrisë transparencën e tregut.
“Në këtë mënyrë, integrimet evropiane përfaqësojnë një rrugë strategjike drejt stabilitetit afatgjatë, inovacioneve dhe rritjes së qëndrueshme – për Malin e Zi dhe për rajonin tonë,” theksoi Radoviq.
Në njoftim u theksua gjithashtu se nga konferenca u përcoll mesazhi se bankat qendrore kanë një rol kyç në formësimin e një sistemi financiar global të qëndrueshëm dhe elastik, veçanërisht në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe strukturore.
“U theksua se përgjegjësia e tyre sot tejkalon kuadrin tradicional të politikës monetare – bankat qendrore janë të thirrura të bëhen nxitës aktivë të inovacioneve, qëndrueshmërisë dhe rritjes gjithëpërfshirëse ekonomike,” përfundon njoftimi.