Garat e Recituesve të Rinj 2025: Të rinjtë shqiptarë mahnisin me interpretimet e tyre poetike
Prej Tv Teuta10 November 2025
Në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin, u zhvilluan “Garat e Recituesve të Rinj 2025”, një aktivitet tradicional i Fondacionit “Studenti” kushtuar nxënësve të shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ky aktivitet, i cili organizohet nga viti 2006, këtë vit u zhvillua për herë të dytë pas fazës së parë në maj, duke përfshirë nxënës nga tetë shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme nga Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava, Gucia dhe Rozhaja.
Nxënësit konkuruan në dy kategori – shkolla fillore dhe shkolla të mesme – me një repertor të gjerë poetik që përfshinte autorë të njohur si Migjeni, Çajupi, Dritëro Agolli, Fatmir Muja, Fan Noli dhe Teodor Keko. Interpretimet përfshinin edhe kolazhe poetike, poezi autoriale dhe interpretime në çift, ndërsa mbrëmja u pasurua me pjesë muzikore nga nxënësit e Shkollës për Arsimin Fillor të Muzikës dhe Baletit në Ulqin.
Në emër të organizatorit, kryetarja e Fondacionit “Studenti”, znj. Albiona Pali, falënderoi pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët që mbështesin këtë nismë për ruajtjen e vlerave kulturore dhe gjuhësore në mesin e të rinjve shqiptarë.
Juria profesionale e përbërë nga Astrit Fani (aktor i Teatrit “Migjeni” – Shkodër), Rozafa Shpuza (poete dhe fotografe nga Shkodra) dhe Dr. Isida Hoxha (pedagoge e gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”) vlerësoi paraqitjet e pjesëmarrësve në bazë të interpretimit, artikulimit dhe ndjeshmërisë artistike.
Fituesit në kategorinë e shkollave fillore ishin: Bora Kurti dhe Brejdina Rexha (vendi i parë), Isar Kaca dhe Laura Pekaj (vendi i dytë) dhe Shpresa Shabaj (vendi i tretë). Në kategorinë e shkollave të mesme: Ildorina Lekperiq fitoi vendin e parë, Rinesa Cekoviq dhe Qazim Tula vendin e dytë, dhe Janina Selimaj vendin e tretë. Fituesi i përgjithshëm i garave u shpall Anabela Camaj nga shkolla e mesme e përzier “25 Maji” – Tuz.
Mbrëmja përfundoi me ndarjen e librave dhe dhuratave simbolike për të gjithë pjesëmarrësit dhe falënderime për mësuesit, prindërit dhe Komunën e Ulqinit. Atmosfera festive dhe emocionet e recitimeve bënë këtë aktivitet një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.