Formimi i Gjykatës Speciale është i rëndësishëm për negociatat me BE-në
Prej Tv Teuta12 November 2025
Grupi punues që do të punojë për hartimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale do të fillojë aktivitetet e para në muajin nëntor. Me formimin e kësaj gjykate, shteti – siç thuhet në dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë – dërgon një mesazh të qartë se qëndron pas atyre që luftojnë kundër formave më të rënda të krimit, se i mbron nga presionet e strukturave kriminale dhe se e njeh rolin e tyre si shtyllë të sundimit të ligjit dhe të së ardhmes evropiane të Malit të Zi. “Institucionet e forta – para së gjithash Prokuroria e Shtetit për Krime të Rënda, Njësia Speciale Policore dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit – janë boshti i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky mesazh duhet të jetë i fortë dhe i dukshëm, si përmes forcimit të kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe përmes përmirësimit të kushteve të punës dhe teknologjisë informative”, – thuhet në përgjigjen e ministrit të drejtësisë Bojan Božović ndaj pyetjes së deputetit të SNP-së, Bogdan Bozhoviq. Në përgjigjen e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit thuhet se Gjykata Speciale është hallka e pazëvendësueshme për arritjen e këtij qëllimi. “Prandaj është e rëndësishme që me themelimin e kësaj gjykate të dërgojmë një mesazh simbolik se Mali i Zi është i vendosur të ndërtojë një gjykatë të fortë, të pavarur dhe profesionale për luftë kundër formave më të sofistikuara të krimit, që jep rezultate konkrete”, – theksohet në dokument. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë ka formuar Grupin Punues për hartimin e Projektligjit mbi Gjykatën Speciale. “Grupi punues përbëhet nga gjyqtarë, prokurorë shtetërorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Detyra e tyre është të përgatisin projektligjin për Gjykatën Speciale, e cila do të jetë e pavarur nga sistemi aktual gjyqësor për çështjet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin e lartë, pastrimin e parave dhe krimet e luftës. Fillimi i punës së këtij grupi është planifikuar për në nëntor,” – thuhet në përgjigje. Është theksuar se në këtë gjykatë do të punojnë vetëm profesionistë me integritet të pakontestueshëm. “Baza e kësaj gjykate do të jenë gjyqtarët ekzistues të Departamentit Special të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, të mbështetur nga kapacitete shtesë administrative dhe infrastrukturore. Me krijimin e kësaj gjykate dhe mekanizmave shoqërues të integritetit, Mali i Zi do të përmbushë masat e mbetura të përkohshme të kapitujve 23 dhe 24, duke forcuar më tej arkitekturën institucionale për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit,” – është theksuar. Edhe pse bëhet fjalë për një institucion të sistemit gjyqësor, theksohet se Gjykata Speciale nuk është vetëm institucion profesional i drejtësisë, por edhe institucion që i shërben qytetarëve, me qëllim forcimin e besimit të tyre në sistemin gjyqësor të Malit të Zi.