Bozhoviq: Do të propozojmë ligj të ri kundër mafias dhe agjenci për pasurinë e konfiskuar
Prej Tv Teuta24 October 2025
Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, tha për portalin e RTMZ se Ministria e Drejtësisë do të punojë në reformimin e ligjeve që lidhen me konfiskimin e pasurisë së fituar nga krimi.
“Do ta heqim pengesën kryesore për konfiskimin e përhershëm të pasurisë, që deri tani ka qenë pritja e përfundimit përfundimtar të procesit penal. Prokuroria ose një organ tjetër do të mund të nisë procedurën e konfiskimit edhe pa pritur vendimin e formës së prerë, nëse hetimi financiar tregon qartë se pasuria është e paligjshme. Pjesa e dytë e reformës ka të bëjë me miratimin e një ligji të posaçëm sipas modelit italian ‘antimafia’,” theksoi Bozhoviq.
Ai shpjegoi se ky ligj do të lejojë nisjen e hetimit financiar dhe konfiskimin e pasurisë për të cilën nuk ka burim të ligjshëm, edhe pa hapjen e një procesi penal.
“Objekt i këtij ligji do të jenë personat që paraqesin rrezik të lartë shoqëror, pra anëtarët e grupeve kriminale të organizuara. Ne tashmë kemi propozime se si të caktohen objektivat e këtij ligji në mënyrë të drejtë dhe jo selektive,” tha Bozhoviq.
Po ashtu, ministri bëri të ditur se do të propozohet krijimi i një agjencie të veçantë, e cila do të kujdeset për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar.
“Për të respektuar plotësisht parimet e shtetit të së drejtës, do të ketë mbikëqyrje gjyqësore, të drejtë kundërshtimi dhe dy shkallë gjykimi. Përveç këtij modeli, do të propozojmë edhe dy modele të tjera grupit punues dhe pasi të arrihet pajtueshmëria me zbatuesit e ligjit, do të dalim në debat publik dhe më pas tek Komisioni Evropian për mendim,” tha Bozhoviq.
Sipas tij, këto reforma do të jenë në fokus gjatë muajit nëntor.
“Mali i Zi ka nevojë për një legjislacion më të fortë që të sigurojë drejtësinë. Ky është qëllimi ynë,” theksoi Bozhoviq.
Ai rikujtoi se dje ka bërë të ditur se do të futet edhe një vepër e re penale, që lidhet me pasurimin e paligjshëm të funksionarëve publikë.
“Konfirmoj se do të vendosim një vepër të re penale që ka të bëjë me pasurimin e paligjshëm të funksionarëve publikë. Mund të ndodhë që kjo vepër të ketë fushë më të gjerë, por aktualisht kjo është në fokus. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta është prioritet,” u shpreh Bozhoviq.
Ai shpjegoi se do të përcaktohet qëllimi i drejtpërdrejtë si element i veprës penale.
“Plotësimi i Kodit Penal do të përfshijë një nen ku do të përcaktohen format e kryerjes së kësaj vepre penale në përputhje me Konventën e OKB për luftën kundër korrupsionit. Po ashtu do të përcaktohet niveli i përfitimit pasuror që ndan kundërvajtjen nga vepra penale. Kjo lidhet kryesisht me Ligjin për parandalimin e korrupsionit që rregullon çështjet e sponsorizimeve, donacioneve, papajtueshmërisë së funksioneve, deklarimit të pasurisë dhe të tjera. Së bashku me ndryshimet në ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, po ndërtojmë një sistem të fortë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit,” tha Bozhoviq.
Sipas tij, bëhet fjalë për hapa shumë të rëndësishëm.
“Çdo funksionar publik që me vetëdije fsheh pasuri për të cilën nuk ka burim të ligjshëm, do të ndiqet penalisht sipas këtij neni. Prokurorisë do t’i mjaftojnë rezultatet e hetimit financiar që tregojnë mospërputhje në pasuri, për të pasur menjëherë bazë për vepër penale,” përfundoi Bozhoviq.