Qeveria propozon kushte më të lehta për legalizim dhe zgjatje të afateve
Prej Tv Teuta21 January 2026
Qeveria e Malit të Zi ka dërguar në procedurë parlamentare Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për legalizimin e objekteve pa leje, me qëllim përshpejtimin dhe thjeshtimin e procesit të legalizimit, i cili zgjat prej vitesh dhe përfshin dhjetëra mijëra objekte të ndërtuara pa leje në mbarë vendin. Siç është njoftuar, ndryshimet kanë të bëjnë me dispozita të rëndësishme të ligjit në fuqi, i cili hyri në fuqi në gusht të vitit 2025, dhe janë propozuar pas disa muajsh zbatim të ligjit dhe problemeve të konstatuara në praktikë, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes lokale, Bashkësinë e Komunave dhe organet shtetërore kompetente. Një nga risitë më të rëndësishme lidhet me ndryshimin e nenit 9, me të cilin saktësohet se objektet pa leje të evidentuara në incizimin ortofoto të vitit 2018 mund të legalizohen nëse konstatohet se pas asaj periudhe nuk janë zgjeruar, mbindërtuar apo nuk u është ndryshuar sipërfaqja bruto ose numri i kateve. “Përcaktimi i gjendjes faktike do të bëhet nga komisioni i organit kompetent, ndërsa konstatimi për përputhshmërinë me incizimin do të jetë pjesë përbërëse e procesverbalit nga terreni. Për objektet për të cilat në procedurat e mëparshme tashmë është verifikuar elaborati i matjes së gjendjes së ndërtuar, parashihet që ai elaborat të mos verifikohet sërish në kadastër”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Me ndryshimet hiqet edhe kushti për distancën minimale të objektit nga kufiri i parcelës kadastrale fqinje, pavarësisht sipërfaqes së objektit. Ky kusht, siç u shpjegua, shpesh ka qenë pengesë për legalizim, veçanërisht në rastet kur pronarët e parcelave fqinje nuk kanë dhënë pëlqimin, edhe pse objektet ekzistojnë prej dekadash dhe pozicioni i tyre nuk mund të ndryshohet pa pasoja të mëdha teknike dhe financiare. Ndryshime janë propozuar edhe në nenin 33, me të cilin saktësohen përjashtimet nga ndalimi i disponimit të objekteve pa leje. “Kështu, edhe përkundër shënimit në kadastër, do të lejohet regjistrimi i hipotekës, lidhja e kontratave të qirasë, trashëgimia, ndarja ndërmjet trashëgimtarëve, dhuratat ndërmjet të afërmve të shkallës së parë trashëgimore, si dhe qarkullimi i pasurive të paluajtshme në bazë të vendimeve gjyqësore ose në procedurë përmbarimore. Gjithashtu, lejohet ushtrimi i veprimtarisë ekonomike deri në skadimin e afatit prej 36 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit”, theksohet në arsyetim. Lejohet qarkullimi i objekteve me shënim se nuk kanë leje përdorimi, nëse janë ndërtuar në përputhje me lejen ndërtimore ose akt tjetër me të cilin ndërtimi ka qenë i lejuar. Projektligji parashikon zgjatjen e disa afateve ligjore. Ndër të tjera, afati për nisjen e procedurës së regjistrimit të objektit pa leje në kadastër zgjatet nga gjashtë në 12 muaj, ndërsa afati për vendosjen e evidencës së objekteve pa leje në nivel lokal zgjatet në 18 muaj. Një nga risitë është edhe futja e një procedure të veçantë për objektet që nuk janë të dukshme në incizimet satelitore apo aerofotogrametrike. “Pronarët do të mund të dëshmojnë se objekti është ndërtuar para korrikut 2025 përmes elaboratit dhe raportit të ekspertit të fushës së ndërtimit, me dokumentacion përkatës, siç janë faturat e energjisë elektrike dhe ujit apo dëshmitë për pagesën e taksave”, thuhet në arsyetim. Në arsyetim theksohet se qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara është që procesi i legalizimit të bëhet më efikas dhe të mundësohet legalizimi i numrit sa më të madh të objekteve brenda afatit prej pesë vitesh, ashtu siç parashikohet me ligjin në fuqi. Që nga fillimi i procesit të legalizimit janë dorëzuar më shumë se 60.000 kërkesa, ndërsa deri më tani janë miratuar rreth 3.250 vendime. Projektligji do të shqyrtohet në Kuvendin e Malit të Zi dhe, nëse miratohet, do të hyjë në fuqi ditën e tetë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi.