Markoviq në takim me sheikun Al Thani: Mali i Zi dhe Katari forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje
Prej Tv Teuta21 January 2026
Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, Marko Markoviq, theksoi në takimin me ministrin shtetëror të Mbrojtjes së Katarit, sheikun Al Thani, marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, ndërsa sheiku Al Thani konfirmoi gatishmërinë e Katarit për zhvillimin e partneritetit me Malin e Zi dhe Aleancën NATO. Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, Marko Markoviq, së bashku me delegacionin, po merr pjesë në Ekspozitën dhe Konferencën Ndërkombëtare të Mbrojtjes Detare (DIMDEX) në Doha, ku po njihet me risitë më të fundit në industrinë ushtarake dhe po forcon bashkëpunimin dypalësh me Katarin. Me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit shtetëror për çështjet e mbrojtjes së Katarit, Sh.T. sheikut Saoud bin Abdulrahman bin Hasan bin Ali Al Thani, sekretari shtetëror Marko Markoviq me delegacionin po merr pjesë në DIMDEX, një nga ngjarjet kryesore ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes detare. Delegacioni i Malit të Zi do të vizitojë stendat e kompanive ndërkombëtare të njohura dhe do të njihet me arritjet dhe inovacionet më të fundit në industrinë ushtarake, me fokus të veçantë në modernizimin e Marinës së Forcave të Armatosura të Malit të Zi dhe forcimin e sigurisë rajonale, adriatike dhe mesdhetare. Në margjinat e ekspozitës, Markoviq u takua me ministrin shtetëror për çështjet e mbrojtjes së Katarit, sheikun Al Thani, dhe theksoi: “Kjo është hera e parë që një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi merr pjesë në DIMDEX. Mali i Zi dhe Katari kanë marrëdhënie miqësore dhe ekziston hapësirë për përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes në të ardhmen”, tha Markoviq. Sheiku Al Thani shprehu gatishmërinë e Katarit për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Malin e Zi, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Aleancën NATO dhe rolin e Malit të Zi si një anëtar i besueshëm i Aleancës dhe lider në procesin e integrimeve në BE. Pjesëmarrja e delegacionit malazez në DIMDEX konfirmon përkushtimin e Malit të Zi për ndjekjen e trendeve globale në sektorin e mbrojtjes, zhvillimin e kapaciteteve kombëtare dhe forcimin e kredibilitetit ndërkombëtar.