Parandalimi shmang pasojat e rënda të gripit: Në Mal të Zi për tre vjet kanë humbur jetën 20 persona
Prej Tv Teuta20 January 2026
Gripi sezonal nuk është një sëmundje e padëmshme dhe çdo vit në Mal të Zi çon në komplikime serioze shëndetësore, ndërsa në disa raste edhe në humbje jete. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi tregojnë se gjatë tre sezoneve të fundit nga pasojat e gripit sezonal kanë ndërruar jetë gjithsej 20 persona, çka thekson edhe më shumë rëndësinë e parandalimit dhe reagimit në kohë, bëjnë të ditur nga Qendra Shëndetësore e Tivatit. Sezoni i gripit zakonisht fillon në muajt e vjeshtës, më së shpeshti në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, dhe zgjat deri në fund të prillit ose majit të vitit pasues. Gjatë kësaj periudhe virusi qarkullon intensivisht në popullatë, ndërsa numri më i madh i të sëmurëve regjistrohet në muajt e dimrit. Nga Qendra Shëndetësore e Tivatit kujtojnë se gripi zakonisht shfaqet papritur dhe manifestohet me temperaturë të lartë trupore, dhimbje koke, dhimbje në muskuj dhe nyje, dobësi dhe lodhje të theksuar, si dhe kollë, dhimbje fyti dhe rrjedhje hundësh. “Simptomat mund të zgjasin nga disa ditë deri në dy javë, e te disa persona edhe më gjatë. Ndryshe nga ftohja e zakonshme, e cila zhvillohet gradualisht dhe ka simptoma më të lehta, gripi karakterizohet nga fillim i papritur i sëmundjes, temperaturë e lartë dhe simptoma të përgjithshme të theksuara”, theksojnë nga Qendra Shëndetësore e Tivatit. Nga kjo qendër shëndetësore theksojnë se pikërisht për shkak të intensitetit të simptomave dhe komplikimeve të mundshme, gripi paraqet një rrezik më të madh shëndetësor. Ata rikujtojnë se nga format më të rënda të sëmundjes dhe komplikimet janë veçanërisht të rrezikuar të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar. “Tek këto grupe, gripi mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, përfshirë pneumoni, përkeqësim të sëmundjeve kronike ekzistuese, infeksione të sinuseve dhe veshit të mesëm, shtrim në spital dhe, në rastet më të rënda, edhe humbje jete”, thanë ata. Për këtë arsye, siç theksojnë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët, me shfaqjen e simptomave, të paraqiten me kohë te mjeku i tyre dhe të ndjekin këshillat e punonjësve shëndetësorë. Me rëndësi të veçantë janë masat parandaluese, si larja e rregullt e duarve, ajrosja e ambienteve, shmangia e kontaktit me persona të sëmurë dhe sjellja e përgjegjshme në rast të shfaqjes së simptomave. Nga Qendra Shëndetësore e Tivatit theksojnë se vaksina kundër gripit sezonal përfaqëson formën më të sigurt dhe më efektive të parandalimit, pasi ul ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes dhe komplikimeve. Në Qendrën Shëndetësore të Tivatit, vaksinimi kryhet në përputhje me rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi dhe është i disponueshëm për të gjithë qytetarët, me fokus të veçantë te kategoritë e rrezikuara të popullsisë. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të Tivatit që të informohen me kohë, të vaksinohen dhe, në rast të shfaqjes së simptomave, të drejtohen pa vonesë te mjeku i tyre, me qëllim parandalimin e komplikimeve të mundshme dhe ruajtjen e shëndetit personal dhe publik.