Millatoviq: Respektojmë të drejtën e qytetarëve të Grenlandës për vetëvendosje
Prej Tv Teuta20 January 2026
Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, deklaroi se çdo ditë jemi dëshmitarë të qëndrimeve të kundërta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me statusin e Grenlandës, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Aleanca e NATO-s që nga themelimi i saj. Ai thekson se si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatët tanë më të rëndësishëm dhe strategjikë. “Mal i Zi, si kandidati më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e harmonizon në mënyrë të vazhdueshme politikën e tij të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Në përputhje me këtë, shteti ynë respekton të drejtën e qytetarëve të Grenlandës për vetëvendosje, si dhe vendimin e tyre për të qenë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha Millatoviq. Njëkohësisht, në dritën e zhvillimeve të fundit, Mali i Zi, sipas tij, mbështet vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme mes aleatëve të NATO-s, me qëllim që Arktiku të mbetet një hapësirë stabiliteti dhe bashkëpunimi. Kjo është me rëndësi thelbësore për kredibilitetin dhe forcën e Aleancës, anëtare e plotë e së cilës është edhe Mali i Zi prej gati dhjetë vitesh. “Në fund, nuk duhet të humbasim nga sytë se bashkëpunimi rajonal është themeli i politikës sonë të jashtme dhe se shumë zhvillime në botë kanë treguar edhe një herë rëndësinë e pamatshme të marrëdhënieve të mira fqinjësore për stabilitetin dhe prosperitetin e një vendi. Pres që Qeveria e Malit të Zi të mbajë qëndrime të qarta dhe të qëndrueshme si për këtë, ashtu edhe për çështje të tjera të rëndësishme gjeopolitike. Udhëheqja e politikës së jashtme kërkon strategji të qartë, vazhdimësi dhe përgjegjësi, si dhe komunikim transparent me publikun vendas dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratë.