DP: Gjatë fundjavës u arrestuan 86 shoferë, prej të cilëve 40 në Podgoricë
Prej Tv Teuta19 January 2026
Gjatë fundjavës së kaluar, nga 16 deri më 18 janar, në rrugët e Malit të Zi janë arrestuar 86 shoferë, prej të cilëve 40 në Podgoricë, u njoftua sot nga Drejtoria e Policisë. Siç theksohet në njoftim, gjatë kësaj fundjave janë evidentuar 41 aksidente trafiku, në të cilat katër persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa nëntë persona lëndime të lehta. “Në të njëjtën periudhë, pjesëtarët e policisë rrugore, në kuadër të aktiviteteve represive, kanë paraqitur 227 kallëzime për kundërvajtje, kanë lëshuar 1570 urdhër-pagesa për kundërvajtje, kanë sekuestruar përkohësisht 26 palë targa regjistrimi dhe po aq mjete i kanë përjashtuar nga qarkullimi”, theksohet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë. Nga policia shtuan se janë arrestuar 86 shoferë, prej të cilëve 31 shofer për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit me përqendrim më të lartë se 1 g/kg ose për refuzim të testimit me alkool. “…25 shoferë për drejtim të mjetit nën ndikimin e drogave narkotike ose substancave të tjera psikoaktive, ose për refuzim të testimit, si dhe 30 shoferë për kryerjen e kundërvajtjeve të tjera më të rënda nga fusha e Ligjit për sigurinë e trafikut rrugor. Nga numri i përgjithshëm i personave të privuar nga liria, 40 janë arrestuar në Podgoricë, ndërsa nga tetë në Herceg Novi dhe Nikshiq”, thuhet në njoftim. Nga policia u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë si në sigurinë personale, ashtu edhe në sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.