Nuk ka qëndrim të përkohshëm pa 200.000 euro dhe të ketë më shumë punëtorë malazezë
Prej Tv Teuta13 November 2025
Qeveria e Malit të Zi ka ashpërsuar kushtet për rregullimin e qëndrimit të shtetasve të huaj, duke përcaktuar që vlera minimale e pasurisë së paluajtshme për të marrë leje qëndrimi të përkohshëm do të jetë 200.000 euro, ndërsa drejtorët dhe pronarët e huaj të kompanive do të duhet të punësojnë të paktën tre punëtorë, prej të cilëve dy duhet të jenë shtetas të Malit të Zi. Qeveria e Malit të Zi miratoi amendamentet në Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Huajt, të cilat përcaktojnë kritere më të rrepta për rregullimin e qëndrimit të të huajve në vend. Një nga amendamentet kryesore përcakton që vlera minimale e pasurisë së paluajtshme, në bazë të së cilës një i huaj mund të rregullojë qëndrimin e përkohshëm, do të jetë 200.000 euro. Pronaret aktualë të pasurive të paluajtshme, të cilët më parë kanë marrë qëndrim mbi këtë bazë, do të kenë afat njëvjeçar për ta përshtatur statusin e tyre me dispozitat e reja të ligjit. „Me një amendament tjetër përcaktohet që shtetasit e huaj – drejtorë ekzekutivë dhe pronarë të më shumë se 51% të kapitalit në një shoqëri tregtare – duhet të kenë të paktën tre të punësuar, prej të cilëve dy janë shtetas të Malit të Zi dhe të siguruar me orar të plotë pune“, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Për përshtatjen e biznesit me rregullat e reja është caktuar një afat prej 180 ditësh. Në të njëjtën kohë, janë intensifikuar shkëmbimet ndërinstitucionale dhe ndërqeveritare të të dhënave mbi hyrjen dhe qëndrimin e të huajve. Ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, dikasteri i financave, Administrata Tatimore dhe Policia do të jenë përgjegjëse për të monitoruar kompanitë jolikujde dhe joaktive në pronësi të të huajve dhe për të ndërmarrë procedurat për heqjen e qëndrimit kur ekzistojnë kushtet ligjore për këtë. Bazuar në bisedimet e mëparshme me zyrtarët turq, do të kryhet një verifikim shtesë i të dhënave për 13.500 shtetas turq me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm. Administrata Tatimore do t’i dorëzojë të dhënat Policisë për të parandaluar abuzimet me lejet e qëndrimit përmes kompanive fiktive. Këto masa janë pjesë e një pakete më të gjerë vendimesh të Këshillit për Sigurinë Kombëtare, të miratuar më 4 nëntor, që ka për qëllim kontrollin e qëndrimit të të huajve, forcimin e disiplinës fiskale dhe parandalimin e abuzimeve përmes krijimit të kompanive joaktive. Aktualisht në Mal të Zi veprojnë 31.814 kompani në pronësi të të huajve, me një të ardhur totale prej pothuajse 199 milionë euro në vitin 2024, sipas të dhënave të Administratës Tatimore. Këshilli gjithashtu ka ngarkuar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të ndryshojë regjimin e vizave – qëndrimi i shtetasve të vendeve që nuk janë të harmonizuara me politikën e BE-së do të reduktohet nga 90 në 30 ditë. Baza për leje qëndrimi të përkohshëm mbi themelimin e një kompanie do të zëvendësohet me kushtin për punësim me kohë të plotë në një ndërmarrje të regjistruar. Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, në emisionin “Të jemi vigjilentë – Pyesni Qeverinë” në TVMZ javën e kaluar tha se regjimi i vizave për Turqinë është një masë e përkohshme. Ai theksoi se protestat anti-turke të javëve të fundit përbënin një situatë të rrezikshme dhe se është e rëndësishme që gjithçka përfundoi pa incidente. Gjeka theksoi se Turqia është një partner strategjik i Malit të Zi, ashtu si Italia, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane. Këto masa, sipas Qeverisë, janë pjesë e procesit të forcimit të kontrollit institucional, disiplinës së sigurisë, migracionit dhe fiskale, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga kapitujt negociues të Malit të Zi me Bashkimin Evropian.