Kalas: Mali i Zi është përgjithësisht shteti më i përgatitur për anëtarësim në BE
Prej Tv Teuta4 November 2025
Mali i Zi, nga të gjitha shtetet kandidate, është më i përgatituri për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE), tha nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kalas, duke theksuar se zgjerimi i Unionit në vitet e ardhshme është një mundësi reale.
Në një konferencë për media, Kalas deklaroi se Komisioni Evropian ka miratuar sot Pakon Vjetore për Zgjerimin, e cila paraqet një vlerësim gjithëpërfshirës të përparimit që kanë bërë shtetet partnere në procesin e zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.
Ajo theksoi se prioritet i përbërjes aktuale të Komisionit është zgjerimi, duke kujtuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës që ka ndryshuar rrethanat ndërkombëtare.
“Zgjerimi është i domosdoshëm nëse BE dëshiron të jetë aktor i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare,” tha Kalas.
Ajo nënvizoi se BE-ja nuk ofron rrugë të shkurtra dhe se zgjerimi mbetet një proces i bazuar në merita.
Kalas tha se anëtarësimi i vendeve të reja deri në vitin 2030 është një objektiv real.
“Mali i Zi është përgjithësisht shteti më i përgatitur për anëtarësim në BE dhe më i avancuari në procesin e zgjerimit të Unionit,” deklaroi ajo.
Sipas Kalas, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë përparim pozitiv dhe janë të dyja udhëheqëse në procesin e anëtarësimit.
Komisionerja Marta Kos theksoi se ky është një “moment i së vërtetës” për të gjithë kandidatët. Vendet kandidate duhet të zbatojnë reforma reale dhe të thella, të harmonizohen me vlerat evropiane dhe të përkushtohen ndaj drejtimit gjeopolitik të BE-së.
Ajo shtoi se nevojitet udhëheqje që punon për pajtim dhe konsensus, ndërsa Komisioni është duke punuar në rishikimin e politikave të para-anëtarësimit për të gjitha vendet kandidate.
“Ka edhe nga ata që do të donin të shihnin dështimin tonë, prandaj Komisioni vlerëson se marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përmbajnë masa më të forta mbrojtëse për të garantuar respektimin e të drejtave themelore, sepse duhet të forcojmë Unionin. Nuk duhet të hezitojmë të hapim debatet për ta bërë Unionin më të gjerë dhe më të fuqishëm,” tha Kos.
Ajo shtoi se kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, Komisioni po ndjek me kujdes të gjitha proceset.
“Duhet të punohet në këtë drejtim dhe ne po bashkëpunojmë me shoqërinë civile dhe me elementë të rinj të integrimit të përshkallëzuar, që janë risi dhe do të prezantohen së shpejti,” përfundoi Kos.