Gjuriçkoviq kritikon Mandiq, i parëndësishëm kur humbiste zgjedhjet, kërcënim për institucionet në pushtet
Prej Tv Teuta25 October 2025
Milosh Gjuriçkoviq, sekretar ndërkombëtar i Partisë Socialdemokrate dhe përfaqësues i Aleancës Evropiane, reagoi ashpër ndaj mënyrës se si po paraqitet figura politike e Andrija Mandiqit në skenën publike. Sipas tij, në vitet e fundit, e sidomos muajt e fundit, është krijuar një famë artificiale rreth të ashtuquajturës “mençuri politike” dhe taktikave të menduara gjoja me kujdes nga Mandiqi, gjë që sipas Gjuriçkoviqit përbën nënvlerësim të inteligjencës së qytetarëve.
Ai thekson se nëse analizohet veprimtaria politike e Mandiqit dhe Frontit Demokratik gjatë më shumë se dy dekadave, del qartë se bëhet fjalë për politikanë që kanë humbur gati të gjitha zgjedhjet ku kanë marrë pjesë. Sipas Gjuriçkoviqit, këto humbje nuk kanë ardhur për shkak të mungesës së angazhimit, por sepse ata “asnjëherë nuk kanë qenë në anën e duhur të historisë”.
Milosh Gjuriçkoviq pretendon se për ardhjen në pushtet të kësaj strukture politike u desh mbështetja e shërbimeve të inteligjencës nga Serbia dhe Rusia, përdorimi i votuesve të dyfishtë nga Serbia dhe Republika Serbe, si edhe ndikimi i fortë i kishës, përfshirë këtu edhe rrethanat globale si pandemia e koronavirusit. Përveç kësaj, siç shprehet ai, u deshën miliona euro që Mandiqi të vendosej në fund të listës zgjedhore, kurse një person anonim të vihej në krye të saj, dhe gjithë kjo ndodhi në një vit zgjedhor me turbulenca të mëdha politike.
Në deklaratën e tij, Gjuriçkoviq përdori një krahasim të fortë, duke thënë se njësoj si koronavirusi që nuk do të ishte bërë problem për njerëzimin nëse do të kishte mbetur vetëm te kafshët, ashtu edhe Mandiqi dhe Fronti Demokratik do të kishin mbetur të parëndësishëm në skenën politike po të mos kishte pasur faktorë të jashtëm që t’i sillnin në pushtet. Sipas tij, në këtë proces “përhapës” u bë Lëvizja URA, ndërsa partitë e tjera si Evropa Tani dhe Demokratët, sipas tij, “e mohonin ekzistencën e virusit derisa ai i goditi”.
Milosh Gjuriçkoviq shtoi se tani Mandiqi dhe bashkëpunëtorët e tij e mbajnë veten në pushtet duke keqpërdorur institucionet. Ai thotë se e gjithë kjo klikë politike ka arritur të rrisë mbështetjen maksimale vetëm me 7–8 për qind, duke shteruar të gjitha burimet dhe ndikimet e tyre të paligjshme.
Ai thekson se propozimi i fundit nga Brukseli për anëtarësim të mundshëm të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, por pa të drejtë vote, është tregues se të paktën disa në Evropë e kanë kuptuar karakterin e kësaj qeverie, të cilën ai e cilëson si antievropiane, antiperëndimore dhe të lidhur me struktura kriminale.
Në fund, Gjuriçkoviq porosit se Mali i Zi ka nevojë më shumë për një qeveri pa kriminelë dhe pa ndërhyrjen e kishës në shtet, sesa për marrëveshje teknike si ajo e SEPA-s ose heqjen e roamingut.