Aktuale Më shumë

Zgjedhja e zëvendësguvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit të Bankës Qendrore të Malit të Zi nën vëzhgimin e Brukselit

Prej Tv Teuta9 October 2025

Brukseli ka kërkuar që autoritetet malazeze të përshpejtojnë emërimin e zëvendësguvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit të Bankës Qendrore të Malit të Zi (BQMZ), duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet në mënyrë të paanshme, transparente dhe të bazuar në merita profesionale. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Gijom Mersie, i cili konfirmoi se Bashkimi Evropian (BE) po ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me këtë çështje. fl studio crack crack download

“Autoritetet duhet t’i emërojnë këto poste sa më shpejt të jetë e mundur dhe të sigurojnë që përzgjedhja të bazohet në kompetencë teknike dhe integritet profesional. Procesi duhet të jetë transparent dhe i paanshëm,” deklaroi Mersie në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Ai shtoi se ky proces do të përfshihet në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për Malin e Zi, që do të publikohet në kuadër të paketës së zgjerimit të BE-së për vitin 2025. “Komisioni Evropian do të raportojë dhe do të vlerësojë ecurinë e këtij procesi në paketën e ardhshme të zgjerimit,” theksoi Mersie.

Nga Komisioni Evropian kanë nënvizuar se ruajtja e pavarësisë së Bankës Qendrore është një nga shtyllat themelore të një sistemi financiar të qëndrueshëm dhe të besueshëm. “Pavarësia institucionale e Bankës Qendrore është thelbësore për stabilitetin makroekonomik dhe përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian,” thuhet në deklaratën e Komisionit.

Sipas Brukselit, respektimi i parimeve të pavarësisë së Bankës Qendrore është detyrim që bie mbi të gjithë aktorët politikë në vend. “BE-ja pret që të gjithë faktorët politikë në Mal të Zi të respektojnë parimin e pavarësisë së institucionit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje që mund të cenojë kredibilitetin e tij,” theksohet më tej në reagimin e Komisionit Evropian.

Komisioni ka siguruar se do të vazhdojë të mbështesë autoritetet malazeze përmes udhëzimeve teknike dhe asistencës institucionale me qëllim forcimin e pavarësisë së Bankës Qendrore.

Në Bankën Qendrore të Malit të Zi aktualisht janë të lira dy pozicione të zëvendësguvernatorëve dhe katër vende në Këshillin Drejtues. Zgjedhja e tyre është me rëndësi të madhe për përparimin e vendit në kapitujt e negociatave 9 – Shërbimet financiare dhe 17 – Bashkimi ekonomik dhe monetar, që janë thelbësorë për rrugëtimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.