Ulqini mikpret legjendat e rajonit: Hapet edicioni i katërt i “Botërorit të Miqësisë”
Prej Tv Teuta26 September 2025

Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, edicioni i katërt i manifestimit ndërkombëtar “Botërori i Miqësisë – Ulqin 2025” është zhvendosur nga Kalaja e Ulqinit në disa lokacione alternative brenda qytetit. Megjithatë, organizatorët sigurojnë se shkëlqimi i këtij takimi unik kulturor dhe sportiv nuk do të zbehet, por përkundrazi – do të hapë dyert për një edicion të paharrueshëm. Ceremonia solemne e hapjes do të mbahet nesër (e shtunë), në ora 11:00, në Plazhin e vogel, ku do të prezantohen të gjithë pjesëmarrësit dhe mysafirët e ftuar. Aktivitetet kulturore – si promovimet e librave dhe shfaqjet filmike – do të zhvillohen në Qendrën për Kulturë, ku manifestimi nis që sonte, me premierën malazeze të filmit për fëmijë “Anka”, me regji të Dejan Aqimoviq dhe pjesëmarrje të aktorit të njohur Eric Cantona. Në Ulqin kanë mbërritur emra të njohur nga bota e sportit, kulturës dhe diplomacisë – një mozaik i vërtetë i rajonit dhe më gjerë. Legjenda të sportit si Zharko Paspal, Toni Kukoç, Ivan Gudelj, Petar Kapisoda, Dane Korica, Tadija Kaçar dhe dhjetëra të tjerë, do të marrin pjesë në këtë festë miqësie, përkrah personaliteteve të artit, si Zoran Predin, Boris Dezhuloviq, Dejan Aqimoviq, e figurave të njohura të medias rajonale. Të shtunën pasdite, Qendra për Kulturë do të presë promovimin e librit të trajnerit legjendar të hendbollit Lino Çervar, pasuar nga premiera e dokumentarit “Ekipi i ëndrrave i humbur” – një rrëfim prekës mbi përfaqësuesen e artë të basketbollit jugosllav që u shpërbë bashkë me shtetin që përfaqësonte. Edicioni përmbyllet të dielën me festivalin ndërkombëtar “Pëllumbi i Paqes”, një koncert i posaçëm i KIC POP HOR, që promovon mesazhin e bashkëjetesës dhe multikulturalizmit. Mbrëmja do të kulmojë me ceremoninë e mbylljes dhe fishekzjarrë në Pristan, në ora 22:00. Organizatorët theksojnë se i gjithë programi është i hapur për publikun, duke ftuar qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e këtij takimi që promovon sportin, kulturën, tolerancën dhe miqësinë ndërpopullore në zemër të Ulqinit.