Turkoviq: Rritja e shtesave për fëmijë është populizëm dhe manipulim politik
Prej Tv Teuta8 November 2025
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, Tarik Turkoviq, ka reaguar ndaj iniciativës për rritjen e shtesave për fëmijë, duke e cilësuar atë si një akt populist dhe manipulim të vazhdueshëm me opinionin publik. Turkoviq tha se përgjegjësia e vërtetë nënkupton marrjen e vendimeve të qëndrueshme dhe reale në kohën e duhur, e jo premtime që rëndojnë buxhetin shtetëror vetëm për qëllime politike. “Shteti tashmë ndan 55 milionë euro për shtesat e fëmijëve – ndërsa propozuesit kërkojnë edhe aq, pa asnjë mbulim financiar! Nga njëra anë dëgjojmë se buxheti po ‘përmbytet’, se shteti po zhytemi në borxhe për paga dhe ndihma sociale, e nga ana tjetër, po të njëjtët kërkojnë rritje të shtesave për fëmijë me 100%,” tha Turkoviq. Ai shtoi se, megjithëse 30 euro për fëmijë mund të duken pak, për buxhetin e shtetit kjo do të thotë dyfishim të shpenzimeve – nga 55 në 110 milionë euro në vit. “Nëse situata financiare është ‘kaq e keqe’, nga vjen ideja për të ngarkuar shtetin me 55 milionë euro shtesë? Kjo nuk është as patriotizëm e as ndjeshmëri sociale – është populizëm i pastër dhe manipulim. Qëllimi është të krijohet përshtypja se dikush po i pengon ndihmat për fëmijët,” u shpreh ai. Turkoviq kujtoi se pas zbatimit të suksesshëm të programit ES1, me të cilin shtesat u zgjeruan për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, dhe gjatë vazhdimit të programit ES2, Mali i Zi aktualisht nuk ka hapësirë për ngarkesa të reja buxhetore. Megjithatë, ai theksoi se gjendja e financave shtetërore është stabile, duke kujtuar se për nëntë muajt e parë të vitit është arritur suficit prej 99.8 milionë euro në shpenzimet rrjedhëse. “Përgjegjësia e vërtetë kërkon zgjidhje reale në momentin e duhur, jo populizëm që rëndon buxhetin vetëm për përfitime politike,” përfundoi Turkoviq.