Të rinjtë nga Lugina e Preshevës në vizitë njohëse në komunat shqiptare të Malit të Zi
Prej Tv Teuta7 November 2025
Një grup të rinjsh shqiptarë nga Lugina e Preshevës zhvilluan një vizitë njohëse në komunat shqiptare të Malit të Zi, me synim forcimin e bashkëpunimit kulturor, arsimor dhe rinor ndërmjet shqiptarëve në rajon. Vizita e tyre nisi në qytetin e Ulqinit, në ambientet e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), ku të rinjtë u pritën nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika me bashkëpunëtor dhe Nazif Veliqi, përfaqësues i organizatave rinore. Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e dy këshillave kombëtare dhe pason takimin e zhvilluar më herët në Ulqin. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, u shpreh se ky aktivitet ka rëndësi të veçantë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet të rinjve shqiptarë në rajon: “Të rinjtë janë ura më e fortë që mund të lidhë shqiptarët kudo që jetojnë. Ne synojmë që këto vizita të kthehen në traditë dhe të thellojnë ndjenjën e përkatësisë dhe bashkëpunimit kulturor,” tha Nika. Ndërkaq, përfaqësuesi i OJQ-së “Horizonti i Ri”, Nazif Veliq, theksoi rëndësinë e shkëmbimeve rinore për zhvillimin e ideve të reja dhe nxitjen e aktivizmit qytetar: “Këto takime janë më shumë se vizita; ato janë investim në të ardhmen e bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë në rajon,” u shpreh Veliq. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i OJQ-së “The Future”, Gëzim Murati, vlerësoi angazhimin e të rinjve pjesëmarrës: “Entuziazmi i tyre tregon se të rinjtë tanë janë të gatshëm të ndërmarrin nisma që sjellin ndryshim pozitiv në komunitet. Të rinjtë në Luginën e Preshevës përballen me sfida të shumta, përfshirë mungesën e mundësive për punësim dhe mosnjohjen e diplomave universitare, që kufizon zhvillimin profesional të tyre. Përmes këtyre nismave bashkëpunuese, synohet që zëri i të rinjve nga Lugina të dëgjohet më qartë dhe të kërkohen zgjidhje konkrete për sfidat e tyre” deklaroi Murati. Ndërsa Besfort Sulejmani, koordinator i zyrës për të rinjtë, tha se bashkëpunimi ndërmjet organizatave rinore do të vazhdojë edhe në të ardhmen: “Kjo vizitë është vetëm fillimi i një rrjeti bashkëpunimi që do të zgjerohet me projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe zhvillimit lokal,” shtoi ai. Sipas programit, të rinjtë morën pjesë në disa vizita kulturore e historike, përfshirë Librarinë Ulqin, Qytetin e Vjetër dhe Kalanë e Ulqinit, ku u njohën me kompleksin muzeal, Sheshin e Robërve dhe Sheshin e Servantesit – Pallatin Venezia. Po ashtu, ata vizituan Plazhin e Vogël, Tyrben e Fanëve dhe Xhaminë e Detarëve, ndërsa në pasdite udhëtuan drejt qytetit antik të Shasit, të shoqëruar nga një ciceron profesionist. Të rinjtë u njohën me trashëgiminë historike të kësaj zone, duke shprehur dëshirën për më shumë aktivitete të ngjashme në të ardhmen.