Ekonomi

Ekonomi Më shumë

Sindikalja e Pavarur e Aeroporteve: BE-ja mbështeti kërkesat tona – Reforma kyçe me respektimin e të drejtave të punës dhe sociale

Prej Tv Teuta25 September 2025

Sundimi i ligjit dhe reforma e ndërmarrjeve shtetërore, përfshirë edhe Aeroportet e Malit të Zi, duhet të jenë prioritete të Qeverisë së Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian – është thënë nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në përgjigjen dërguar Sindikatës së Pavarur të Aeroporteve të Malit të Zi. Nga Delegacioni i BE-së kanë theksuar se çështjet që ka ngritur Sindikata e Pavarur – siç janë respektimi i të drejtave të punës dhe sociale, siguria e trafikut ajror, si dhe transparenca dhe ligjshmëria e procesit të koncesionit – janë me rëndësi kyçe për sundimin e ligjit dhe krijimin e një ambienti të qëndrueshëm të biznesit në vend, theksohet në njoftimin që e ka nënshkruar Biljana Knezheviq, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Aeroporteve të Malit të Zi. “Sundimi i ligjit është themel i rrugës evropiane të Malit të Zi. Qeveria duhet të zbatojë reforma sistematike të ndërmarrjeve shtetërore, përfshirë edhe Aeroportet e Malit të Zi, me theks të veçantë në efikasitetin, përgjegjësinë dhe transparencën në punë”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së. Edhe pse BE-ja nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në raste individuale, Delegacioni ka kërkuar nga Sindikata e Pavarur që të informojë rregullisht për zhvillimet e mëtejshme, në mënyrë që të ndjekin aktivitetet e organeve kompetente dhe të vlerësojnë respektimin e parimeve të sundimit të ligjit dhe dialogut social në Mal të Zi. Sindikalja e Pavarur e Aeroporteve të Malit të Zi e ka mirëpritur, siç thuhet, “mbështetjen e qartë dhe të hapur të BE-së”, dhe ka paralajmëruar se do të vazhdojë të raportojë për të gjitha parregullsitë dhe paligjshmëritë e vërejtura në punën e Aeroporteve të Malit të Zi. “Presim që BE-ja të vazhdojë të shprehë qartë se parregullsitë dhe keqpërdorimet nuk janë të pranueshme dhe se kërkohet largimi i tyre i menjëhershëm”, ka thënë Biljana Knezheviq.