Politikë

Politikë Më shumë

Presidenti Millatoviq në Samitin e Kopenhagës: Mali i Zi drejt BE-së – pa kalkulime dhe pa justifikime

Prej Tv Teuta1 October 2025

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, po merr pjesë në Samitin e Shtatë të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet në Kopenhagë më 1 dhe 2 tetor. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin danez, Presidenti Milatoviq do të ketë fjalën në sesionet plenare të Samitit, si dhe në tryezën e rrumbullakët ku do të diskutohet tema e sigurisë ekonomike të Evropës. Me ftesë të Mbretit të Danimarkës, Frederik X, Presidenti i Malit të Zi do të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare me liderët më të lartë evropianë, duke përforcuar kështu pozicionin diplomatik të Malit të Zi në arenën evropiane. Nga Kabineti i Presidentit të Malit të Zi është theksuar rëndësia e madhe që ky samit po mbahet pikërisht në Danimarkë – vend që aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian. Milatoviq theksoi se gjatë këtij mandati të presidencës daneze, Mali i Zi synon të mbyllë të paktën pesë kapituj negociues, një detyrë që – siç u shpreh ai – “nuk është premtim, por punë që duhet përfunduar.”“Bashkimi Evropian është aksioni ynë i përditshëm, çdo ditë dhe në çdo punë. Mali i Zi nuk po kërkon anëtarësim, ne do ta meritojmë atë përmes reformave të realizuara dhe institucioneve të forta që funksionojnë,” u shpreh Presidenti Milatoviq.Gjatë Samitit, Presidenti do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me liderë të vendeve të ndryshme evropiane, duke forcuar më tej marrëdhëniet diplomatike dhe duke avancuar kauzën e integrimit evropian të Malit të Zi.Komuniteti Politik Evropian është një platformë që mbledh rreth 50 liderë nga vendet e BE-së dhe shtete të tjera të kontinentit, me qëllim forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit në çështje të interesit të përbashkët – si siguria, ekonomia dhe stabiliteti rajonal. Pjesëmarrja e Malit të Zi në këtë forum përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar, intensifikimin e fushatës diplomatike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me shumë nga vendet pjesëmarrëse.