Politikë

Aktuale Më shumë

Opozita drejtuar Satlerit: Ndalojeni zgjedhjen e kandidatit që nuk i plotëson kushtet për anëtar të Senatit të DRI-së

Prej Tv Teuta8 November 2025

Anëtarët opozitarë në Komisionin për Ekonomi, Financa dhe Buxhet i kanë shkruar shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johann Satler, duke e njoftuar se shumica parlamentare në këtë komision ka propozuar për anëtar të Senatit të DRI-së (Drejtoria e Revizionit Shtetëror) një person që nuk i plotëson kushtet ligjore për atë pozitë. Ata kanë paralajmëruar se debati dhe votimi në seancën plenare për kandidatin e propozuar do të mbahet të hënën, dhe kanë shprehur shpresën se ambasadori i BE-së do ta përdorë integritetin e tij profesional për të ndaluar, siç kanë thënë, “veprimet joligjore dhe antievropiane”. “Për shkak të rëndësisë së forcimit të pavarësisë dhe integritetit profesional të Drejtorisë së Revizionit Shtetëror, dhe në kontekstin e kapitullit 32, është e rëndësishme të theksohet se shumica parlamentare në Komisionin për Ekonomi, Financa dhe Buxhet ka propozuar për anëtar të Senatit të DRI-së një person që nuk i plotëson kushtet ligjore për atë pozitë (neni 32 i Ligjit për DRI – provimi i dhënë për revizor shtetëror dhe të paktën 10 vite përvojë pune, ose të paktën 10 vite përvojë në detyra përgjegjëse në financat publike),” thuhet në deklaratë. Në këtë mënyrë, sipas tyre, krijohet një precedent serioz, ku në një institucion shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian po propozohen persona që nuk i plotësojnë kërkesat ligjore. “Kjo do të ketë pasoja të mëdha për punën e këtij institucioni, por edhe për sundimin e ligjit dhe meritokracinë, si shtyllat kryesore të përparimit demokratik të Malit të Zi. Debati dhe votimi për kandidatin e propozuar do të mbahen të hënën, prandaj shpresojmë që secili të përdorë integritetin e vet profesional për të ndaluar këto veprime joligjore dhe antievropiane,” theksoi opozita. Ata kujtojnë se gjatë një viti e gjysmë të fundit janë emëruar dy anëtarë të Senatit të DRI-së, dhe se gjatë atyre emërimeve, po ashtu si në rastin e tanishëm, shumica nuk ka parë të arsyeshme të zhvillojë bisedime me opozitën. “Në këtë rast aktual, problemi është edhe më i madh, pasi kandidati nuk i plotëson kushtet ligjore, gjë që përveç rrënimit të integritetit të DRI-së, do të sjellë edhe ankesa nga kandidatët e tjerë që janë paraqitur në thirrjen publike,” thanë anëtarët opozitarë të Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet: Boris Mugosha, Nikolla Rakoçeviq, Mihaillo Angjushiq, Nikolla Milloviq dhe Millosh Konatar.