Aktuale Më shumë

Nënshkruhet marrëveshja për grantet e pakthyeshme për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Ulqin

Prej Tv Teuta10 October 2025

Marrëveshja për dhënien e granteve të pakthyeshme nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Bankës Gjermane për Zhvillim KFW, Komunës së Ulqinit dhe ndërmarrjes Vodacom. Marrëveshjen e kanë nënshkruar ministri përkatës Damjan Qulafiq, drejtori i bankës KFW Klaus Müller, kryetari i komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe drejtori i Vodacom-it Dragan Roganoviq. Nënshkrimit i kanë qenë të pranishëm ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi Johan Satler dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Peter Felten. “Projekti i ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Ulqinit përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës ekologjike në bregdetin e Adriatikut në Mal të Zi. Kjo investim ka vlerën prej 30,7 milionë euro dhe është pjesë e bashkëpunimit shumëvjeçar ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi, bankës KFW dhe komunave bregdetare në projektin ‘Furnizimi me ujë dhe trajtimi i ujërave të zeza në bregdetin e Adriatikut’, i cili po zbatohet që nga viti 2003,” njoftuan nga Ministria e Ekologjisë. Me ndërtimin e impiantit dhe infrastrukturës shoqëruese, siç theksuan ata, do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i trajtimit të ujërave të zeza në Ulqin, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qulafiq, falënderoi drejtorin e bankës KFW, ambasadorin Satler dhe ambasadorin Felten, si dhe drejtorin Roganović për mbështetjen dhe kontributin në projekt. “Besoj se së shpejti do të jemi në terren për të shënuar rezultatet e para të punës së përbashkët. Do të vazhdojmë të investojmë së bashku në projekte të ngjashme në të gjithë Malin e Zi për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të burimeve natyrore,” theksoi ministri. Drejtori i bankës KFW, Klaus Müller, shprehu kënaqësinë që pati mundësinë të nënshkruajë një marrëveshje që përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mbrojtjes së mjedisit në Mal të Zi. Siç u tha, Müller theksoi se ky projekt ka rëndësi të madhe për përmirësimin e mjedisit jetësor dhe përmbushjen e obligimeve nga kapitulli 27.Drejtori i Vodacom-it, Dragan Roganoviq, falënderoi ministrin Qulafiq dhe theksoi se projekti do të përmirësojë ndjeshëm sistemin e trajtimit të ujërave të zeza në Ulqin. Ai kujtoi se Vodacom, në bashkëpunim me bankën KFW, deri më tani ka realizuar projekte me vlerë mbi 120 milionë euro, përfshirë impiantet në Herceg Novi, Tivat dhe Kotor.Kryetari i komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, shprehu falënderim për Qeverinë e Malit të Zi dhe Ministrinë e Ekologjisë për sigurimin e granteve të pakthyeshme, duke theksuar se investimi prej mbi 30 milionë euro do të ketë një rëndësi të madhe për zhvillimin e komunës. Ai shtoi se ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, ruajtjen e burimeve natyrore dhe përmirësimin e përgjithshëm të infrastrukturës komunale në Ulqin.