Kulturë

Aktuale Më shumë

“Nata e Bamjeve” rikthehet për të tetin vit në Qytetin e Vjetër – shije, muzikë dhe traditë në tre lokacione historike

Prej Tv Teuta23 August 2025

Qyteti i Vjetër u kthye edhe një herë në epiqendrën e shijes dhe kulturës, me rikthimin e manifestimit të njohur “Nata e Bamjeve”, i cili këtë vit u organizua për të tetin vit radhazi. Aktiviteti u mbajt në tre prej pikave më karakteristike të qytetit: Kulla e Ballshajve, Pazari i Qytetit dhe Pallati Venecian, duke krijuar një mbrëmje të veçantë që ndërthur traditën me krijimtarinë bashkëkohore. Kuzhinierë nga vende të ndryshme morën pjesë në këtë ngjarje, duke sjellë receta të veçanta me bazë bamjen – përbërësin simbolik të kësaj nate. Gatimet u vlerësuan nga një juri profesionale, e cila ndau edhe çmime për performancat më të mira kulinare. Mbrëmja u shoqërua me muzikë live dhe performanca artistike, që i dhanë një atmosferë festive e mikpritëse gjithë ngjarjes. Vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj, mbushën rrugicat e Qytetit të Vjetër, duke shijuar jo vetëm ushqimin, por edhe historinë dhe energjinë që ky manifestim sjell çdo vit. Organizatorët u shprehën të kënaqur me pjesëmarrjen dhe interesin në rritje për “Naten e Bamjeve”, e cila po kthehet në një pikë të rëndësishme referimi për promovimin e turizmit kulturor dhe kulinar në zonë.