Politikë

Aktuale Më shumë

Millatoviq: Refuzimi i kallëzimit penal ndaj Gjeloshaj rrezikon të çojë shtetin në anarki

Prej Tv Teuta2 October 2025

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dorëzuar një ankesë në Prokurorinë e Lartë të Podgoricës ndaj vendimit të Prokurorisë Themelore për të hedhur poshtë kallëzimin e tij penal kundër ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe njërit prej zëvendëskryeministrave, Nik Gjeloshaj. Millatoviq vlerëson se vendimi i prokurorisë është i paligjshëm, tendencioz dhe i bazuar në të pavërteta, duke paralajmëruar se ky vendim mund ta çojë Malin e Zi në gjendje anarkie. Presidenti pretendon se Gjeloshaj i ka kërcënuar me mesazhe, pasi ai kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për taksën mbi pasuritë e paluajtshme. Në mesazhet e dërguara, sipas kabinetit të Presidentit, Gjeloshaj ka shkruar se “nuk është dashur të kthehej ligji dhe se do të ketë reagim të shqiptarëve nga të gjitha nivelet dhe kudo ku kanë ndikim”, duke shtuar se “do të marrë përgjigjen që meriton”. Nga ana tjetër, Gjeloshaj i ka mohuar akuzat për kërcënim, duke thënë se Millatoviq e ka kthyer ligjin për shkak të lidhjeve të tij familjare me këshilltarin e tij të ri, Nebojsha Vuksanoviq, për përfitime personale.Prokuroria Themelore ka vlerësuar se nuk ka dyshim të arsyeshëm se është kryer ndonjë vepër penale dhe se mesazhet e Gjeloshaj mund të interpretohen si reagim përmes institucioneve dhe opinionit publik, gjë që, sipas tyre, realisht ka ndodhur.Presidenti Milatoviq e cilëson këtë interpretim si tërësisht të pavërtetë, duke theksuar se në mesazhe nuk përmendet asnjëherë reagimi institucional, dhe se pas mesazhit kanë pasuar kërcënime të hapura dhe fyerje personale ndaj tij dhe familjes së tij.Si shembull, ai përmend deklaratën e anëtarit të Alternativës Shqiptare, Agron Aga Dushaj, i cili në një reagim publik ka thënë:“Sinqerisht, po të mundja do të të rrihja me shkop siç i kanë rrahur dikur fëmijët… Më vjen keq z. President, por duhet të mendoni thellë – nëna juaj nuk e meriton gjithë këtë nga Tuzit… Dhe po, edhe unë e kam përshëndetur nënën tuaj…”Millatoviq pyet nëse prokurori ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këto deklarata dhe si është e mundur që këto të konsiderohen “reagime përmes institucioneve”, e jo kërcënime serioze.Ai e konsideron vendimin e prokurorit si injorim të rrezikshëm të ligjit, duke theksuar se vepra penale për të cilën e akuzon Gjeloshaj është forma e rëndë e “kërcënimit të sigurisë”, e cila ka shkaktuar shqetësim publik.Në fund, Presidenti paralajmëron se vendime të tilla krijojnë një precedent të rrezikshëm dhe dëmtojnë rendin ligjor në vend:“Nëse ky vendim qëndron, çdo i dyshuar do të thotë më pas se ‘nuk e kam pasur seriozisht’ dhe nuk do të ketë asnjë përgjegjësi. Kjo mënyrë e të menduarit e çon Malin e Zi drejt anarkisë,” përfundon Millatoviq.