Politikë

Politikë Më shumë

“Mali i Zi dhe Belgjika, aleatë të përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta evropiane”

Prej Tv Teuta3 October 2025

Mali i Zi dhe Belgjika kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore dhe aleate, me dialog politik dinamik dhe partneritet të fuqishëm në kuadër të NATO-s, u theksua gjatë bisedës së Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, me Kryeministrin e Belgjikës, Bart de Vever, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë. Presidenti Milatoviq falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në rrugën evropiane të Malit të Zi. “Bashkimi Evropian është aksioni ynë i përbashkët – një forcë që na udhëheq drejt anëtarësimit, një sukses që matet me reforma dhe fuqinë e institucioneve në të cilat besojnë qytetarët. Jam i bindur se, me mbylljen e kapitujve të rinj deri në fund të vitit, do t’i japim hov qëllimit tonë që deri në vitin 2028 të bëhemi shtet anëtar i plotë i BE-së,” tha Presidenti Milatoviq. Ai theksoi se organizimi i Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi vitin e ardhshëm, kur do të shënohen njëzet vjet nga rivendosja e pavarësisë, “do të tregojë se dimë dhe mundemi të jemi shtet lider dhe shembull në integrimet evropiane.” Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve belge. Presidenti Milatoviq theksoi se prania e kompanive të njohura belge dëshmon se vendi ynë është një destinacion i sigurt dhe tërheqës për investime. Në këtë kontekst, u theksua posaçërisht rëndësia e hapjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore mes dy vendeve. U diskutua edhe për kontributin e përbashkët të dy vendeve për stabilitetin e Evropës përmes aleancës në NATO, me theks të veçantë mbi rëndësinë e unitetit evropian dhe ruajtjes së multilateralizmit si themel i paqes dhe bashkëpunimit.