Politikë

Aktuale Më shumë

Haxhiq: Ata që luajnë me flakën e urrejtjes, po përgatisin terrenin për përsëritjen e saj

Prej Tv Teuta10 October 2025

Deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani”, Seid Haxhiq, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe veprimeve që nxisin përçarje kombëtare e fetare në shoqërinë malazeze. Ai tha se nxitja e urrejtjes nuk është vetëm shkatërruese për bashkëjetesën, por edhe moralisht e falimentuar, politikisht e papërgjegjshme dhe historikisht e rrezikshme.

Në një postim në rrjetin Fejsbuk, Haxhiq shkroi se kushdo që me vetëdije përpiqet të përhapë urrejtje midis popujve dhe feve, nuk e mbron as traditën, as fenë, as identitetin. “Në fakt, ai i varros ato nën hirin e urrejtjes dhe të intolerancës. Kur dikush nxit përçarje në emër të fesë apo kombit, ai nuk ndërton, por shkatërron”, tha ai.

Deputeti kujtoi se Mali i Zi dhe rajoni kanë kaluar përmes periudhave të dhimbshme, me luftëra, dëbime, pastrime etnike e gjenocide, ndaj çdo përpjekje për të ringjallur ndarjet është, sipas tij, një “krim moral”. “Të nxisësh ndarje pas gjithë atyre që kemi përjetuar është akt dhune me fjalë, me grafite e me simbole, dhe dihet mirë se kjo lloj dhune gjithmonë i ka paraprirë dhunës me armë,” theksoi Haxhiq.

Ai paralajmëroi se ata që sot “luajnë me flakën e urrejtjes” jo vetëm që injorojnë mësimet e përgjakshme të së kaluarës, por po përgatisin terrenin që historia të përsëritet. “Kur dikush përdor përkatësinë kombëtare apo fetare si armë për të fituar pushtet, ai tregon dështimin e plotë të ideologjisë së tij. Nëse të duhet një armik për të justifikuar ekzistencën tënde politike, atëherë ideologjia jote është bosh,” u shpreh deputeti.

Sipas Haxhiqit, përhapja e urrejtjes ka qenë gjithmonë një mjet për manipulim politik – për të frikësuar njerëzit, për t’i mobilizuar përmes ndasive dhe për të krijuar armiq të rremë që fshehin problemet e vërteta të shoqërisë, si korrupsioni, varfëria, padrejtësia dhe paaftësia e institucioneve. “Ne gjithmonë kemi pasur dy kampe të kundërta që në thelb kanë luajtur me të njëjtën kartë, sepse urrejtja është mjeti më i lehtë për të mbledhur poenë politikë. Por ajo që fitohet lirë në politikë, shoqëria e paguan shtrenjtë,” tha Haxhiq. Në përfundim, ai bëri apel për përgjegjësi dhe maturi në diskursin publik. “Nuk ekziston asnjë qëllim i shenjtë që mund të justifikojë nxitjen e urrejtjes kombëtare apo fetare. Kujtojeni këtë mirë, sepse pa paqe dhe respekt, asnjë shoqëri nuk mund të ketë të ardhme,” përfundoi Seid Haxhiq.