Gorçeviq: Integrimi evropian është projekt i përbashkët i shtetit dhe të rinjve
Prej Tv Teuta8 October 2025

Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe zbatimit të reformave që sjellin ndryshime reale për qytetarët, me theks të veçantë në përfshirjen e të rinjve si aktorë kyç në këtë proces. Kështu deklaroi ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, pas takimit zyrtar me ministren federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, Klaudija Plakolm, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Podgoricë.Ministrja Gorçeviq theksoi se integrimi evropian nuk është vetëm një çështje politike apo teknike, por një investim në të ardhmen e të rinjve dhe një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm të vendit.“Të rinjtë janë pjesa më vitale e shoqërisë sonë. Ata nuk e shohin Bashkimin Evropian thjesht si një qëllim politik, por si një hapësirë të mundësive, vlerave të përbashkëta dhe solidaritetit. Rruga drejt BE-së është shans për t’u treguar të rinjve tanë se mund të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme këtu, në vendin e tyre,” tha Gorçeviq. Në qendër të diskutimeve mes dy ministreve ishte përparimi i Malit të Zi në procesin negociator me BE-në, nevoja për thellimin e reformave dhe mbështetja që Austria vazhdon t’i japë rajonit në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ministrja austriake Plakolm vlerësoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj rrugës evropiane dhe theksoi se Austria mbetet një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së.“Të rinjtë nga Mali i Zi nuk duhet të zgjedhin mes Evropës dhe atdheut të tyre – anëtarësimi në BE u jep mundësinë që të kenë të dyja. Identiteti nuk humbet përmes integrimit, përkundrazi, ai forcohet. Evropa rritet përmes diversitetit dhe Mali i Zi ka shumë për të ofruar,” theksoi Plakolm.Ajo shtoi se në konferencën e ardhshme investuese “Rritje e zgjuar, e ardhme e gjelbër: Përshpejtimi i investimeve në Mal të Zi”, që do të mbahet më 14 dhe 15 tetor në Lušticë, Austria do të përfaqësohet me pesë kompani të mëdha, në kuadër të synimit për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me Malin e Zi në fusha të ndryshme.Pas takimit zyrtar, në Parkun e Njegoshit u mbajt një takim i hapur me të rinj të shkollave të mesme dhe ambasadorë të rinj evropianë, në kuadër të aktivitetit “Biseda me të rinjtë – Perspektiva evropiane dhe sfidat e anëtarësimit në BE”. Të rinjtë patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ministrat mbi përfitimet që sjell anëtarësimi në BE, veçanërisht në fushat e arsimit, zhvillimit profesional, ndalimit të largimit të trurit dhe kthimit të përvojës dhe dijes në vend.“Njohuritë dhe përvojat që të rinjtë i marrin në shtetet anëtare të BE-së marrin kuptim të vërtetë kur ato aplikohen në vendin e tyre. Prandaj, ne po ndërtojmë institucione më të forta, administratë digjitale dhe një ekonomi që ofron mundësi reale për të rinjtë,” tha ministrja Gorčević.Nxënësja Ena Durutović, nga Gimnazi “Slobodan Shkeroviq”, vlerësoi se këto takime janë të domosdoshme për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të ndërtuar ura mes përvojës jashtë vendit dhe mundësive që ekzistojnë brenda.“Biseda e drejtpërdrejtë me ministrat është e rrallë dhe shumë e vlefshme. Të rinjtë rrallë kanë mundësi të shprehin opinionin e tyre dhe që ai të merret seriozisht. Këto aktivitete janë një hap drejt ndryshimit të kësaj situate,” theksoi ajo.Ambasadori i ri evropian, Branko Daniloviq, shtoi se krijimi i një ambienti të hapur për diskutim me përfaqësues të lartë politik është thelbësor për rritjen e vetëdijes dhe kuptimin më të thellë të procesit të integrimit evropian.Në përmbyllje të ngjarjes, të dyja ministret falënderuan të rinjtë për diskutimin frymëzues dhe i inkurajuan që të vazhdojnë të jenë pjesë aktive në ndërtimin e së ardhmes evropiane të vendit.