Slider

Aktuale Më shumë

Ekspozita “Gratë – forca e Ulqinit” nxjerr në pah rolin dhe fuqinë e grave në komunitet

Prej Tv Teuta10 October 2025

OJQ Punta Institute, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, organizoi më 10 tetor 2025 ekspozitën “Gratë – forca e Ulqinit”, si aktivitet përmbyllës i projektit “Perspektiva Gjinore e Ulqinit”. Ky projekt ka për qëllim të forcojë barazinë gjinore dhe të rrisë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe krijimin e politikave publike në komunë. Ekspozita u mbajt në hapësirat e Qendrës për Kulturë dhe përfshiu punime artistike dhe fotografi që dokumentojnë aktivizmin e grave në fusha të ndryshme: kulturë, sport, art, politikë dhe media. Vepra të piktorëve vendas dhe fotografi të grave aktive në komunitet dhanë një pasqyrë të qartë të kontributit të tyre, shpesh të nënvlerësuar dhe të mbetur në hije. Organizatorja e ekspozitës, Hatixhe Gjoni, theksoi rëndësinë e dokumentimit të aktiviteteve të grave, ajo nënvizoi se projekti synon të bëjë të dukshëm rolin dhe fuqinë e grave në jetën shoqërore dhe kulturore të Ulqinit, duke frymëzuar gjeneratat e reja. Ekspozita nxori në pah aktivitetet e grave në protesta lokale, sport, art dhe kulturë, duke treguar se edhe pjesëmarrja e vogël e secilit individ kontribuon në një mozaik më të madh të fuqisë së grave në komunitet. Projekti gjithashtu ofron mundësi që gratë të shprehin talentin e tyre dhe të jenë më të pranishme në opinionin publik përmes mediave dhe aktiviteteve kulturore.

Pjesëmarrja e komunitetit dhe mbështetja nga pushteti lokal ishin thelbësore për suksesin e ekspozitës, e cila u zhvillua edhe në shkolla dhe institucione të ndryshme të Ulqinit, duke përfshirë shkollat “Marshall Tito”, “Bedri Elezaga” dhe gjimnazin e Ulqinit. Ekspozita “Gratë – forca e Ulqinit” është një hap i rëndësishëm drejt përforcimit të vetëdijes gjinore dhe njohjes së kontributeve të grave në komunitet. Përmes këtij projekti, gratë e Ulqinit po fitojnë një platformë për të treguar aftësitë dhe angazhimin e tyre, duke u bërë shembull për të gjithë komunitetin dhe duke kontribuar në zhvillimin demokratik të shoqërisë.