Aktuale Më shumë

Edhe administrata prokuroriale i bashkohet grevës

Prej Tv Teuta9 October 2025

Administrata gjyqësore dhe ajo prokuroriale në Mal të Zi do të ndërpresin punën nga data 13 tetor 2025, në periudhën prej orës 11:00 deri në 12:00, në të gjitha çështjet përveç atyre të paraburgimit, çështjeve që kanë të bëjnë me të miturit dhe rasteve urgjente ku mund të shkaktohet dëm i pariparueshëm. Ky është vendimi më i fundit i Sindikatës së Administratës dhe Drejtësisë së Malit të Zi, i cili pason pas një periudhe të gjatë pakënaqësie për shkak të kushteve të vështira ekonomike të punonjësve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Në njoftimin e publikuar nga Sindikata theksohet se, nëse deri më 13 tetor punëdhënësi nuk miraton rritjen e pagave me një shtesë prej 30 për qind, punonjësit do të ndërmarrin vetë iniciativën për ndërprerjen e punës. “Pasi për gati një vit nuk ka pasur asnjë reagim ndaj kërkesave tona për rritje të pagave si zgjidhje e përkohshme, njoftojmë se punonjësit e administratës gjyqësore dhe prokuroriale do të ndërpresin punën në mënyrë të pavarur,” thuhet në komunikatën e Sindikatës. Përfaqësuesit e Komitetit Profesional të Drejtësisë theksojnë se punonjësit nuk kërkojnë privilegje, por një shpërblim të drejtë dhe dinjitoz për punën e tyre të përgjegjshme në shërbim të qytetarëve dhe drejtësisë. Ata mbeten të hapur për dialog social dhe shprehin gatishmëri për komunikim konstruktiv me institucionet përgjegjëse. Greva është mbështetur edhe nga organizatat sindikale të Prokurorive të Shtetit të Malit të Zi, të Gjykatës së Lartë në Bijelo Pole dhe Podgoricë, si dhe nga gjykatat themelore në Podgoricë, Bijelo Pole, Danillovgrad, Zhaglljak, Berane, Kolašin, Plav dhe Bar. Gjithashtu, grevën e kanë përkrahur edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykatat për Kundërvajtje të Malit të Zi. Greva ka nisur më 6 tetor në disa institucione gjyqësore, përfshirë Gjykatën Themelore dhe të Apelit në Podgoricë, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Ekonomike, si dhe gjykatat në Cetinë, Ulqin, Herceg Novi dhe Kotor. Sipas Bjanka Vujoviq, kryetare e organizatës sindikale në Gjykatën e Lartë të Podgoricës, punonjësit janë detyruar të ndërmarrin këtë hap për të treguar gjendjen e rëndë materiale në të cilën ndodhen. “Prej vitesh paralajmërojmë për problemin e pagave të ulëta dhe mungesën e një zgjidhjeje sistematike. Megjithatë, përveç premtimeve të pambajtura, asgjë nuk ka ndryshuar,” tha Vujoviq, duke shtuar se punonjësit kërkojnë rritje page prej 30 për qind dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive për sektorin e drejtësisë. Edhe gjyqtari Ilija Radulloviq nga Gjykata Themelore e Podgoricës ka shprehur hapur mbështetjen e tij për kërkesat e punonjësve. Ai theksoi se nuk mund të flitet për një gjyqësor të pavarur kur një këshilltare që merr vendime të rëndësishme paguhet vetëm 800 euro, ndërsa një procesverbaluese 600 euro. Radulloviq shtoi se është koha që institucionet të dëgjojnë zërin e këtyre punonjësve që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. canva pro free activation key free download